Plani për rritjen e çmimit të ujit

361 0

Pritet rritje e çmimit të ujit të pijshëm. Dhe ujë të pijshëm, shoqëritë e ujësjellësit konsiderojnë ujin që i vjen çdo shqiptari në rubinetat e shtëpive. Sado absurde mund të tingëllojë, në faturat që paguan gjithsecili, uji i rubinetit shkruhet pikërisht: ujë i pijshëm.

Në raportin e fundit të performancës prezantuar pak ditë më parë, Enti Rregullator i Ujit shprehet se “Referuar tarifave aktuale të shërbimeve dhe ato që propozohen rezulton që ka akoma shumë hapësirë deri në arritjen e kufirit të përballueshmërisë së tyre nga konsumatorët familjarë. Pavarësisht këtij fakti, ERRU është në favor dhe ndjek politikën e aprovimit të një rritje graduale të tarifave.”

ERRU është në favor të rritjes së çmimit edhe pse në raport shkruan se: ‘Fatkeqësisht, vërtetësia e të dhënave që merren nga shoqëritë lë mjaft për të dëshëruar.’

ERRU është në favor të rritjes së çmimit të ujit edhe pse në raport shkruan se ‘Gjatë vitit 2015 konsumatori ka ndjerë shumë pak përmirësime të dukshme. Kohëzgjatja e furnizimit me ujë dhe cilësia e ujit të pijshëm i ofruar nga shumica e shoqërive vazhdojnë të jenë në të njëjtat parametra gjatë tre viteve të fundit.’

ERRU është në favor të rritjes së çmimit të ujit edhe pse në raport shkruan se: ‘Furnizimi me ujë është 12 orë/ditë, ndërsa për vitin 2014 ka qenë 12.1 orë/ditë, që do të thotë që nuk ka pësuar asnjë ndryshim apo përmirësim mesatarja e kohëzgjatjes së furnizimit me ujë. Nga të dhënat duket qartë që nuk është arritur as objektivi i përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime 2011- 2017 për vitin 2015 prej 16 orë/ditë, normalisht as objektivin e performancës së mirë të vendosur nga ERRU prej 18 orë/ditë’, shkruan qartazi ERRU në raportin e saj.

Cilësia e ujit mbetet një shqetësim kryesor sepse shoqëritë nuk garantojnë cilësinë e ujit tek konsumatorët. Foto: WebLibrary

Po cilësia e ujit?

Flasim për cilësinë e ujit, që në faturë e paguajmë për ‘ujë të pijshëm’. Së pari në indikatorët e performancës, cilësia e ujit në raport nuk llogaritet si ‘punë për ujësjellësin’ pasinuk është përfshirë në vendosjen e pikëve.

Raporti shkruan se ‘Cilësia e ujit mbetet një shqetësim kryesor sepse shoqëritë nuk garantojnë cilësinë e ujit tek konsumatorët për shumë arsye si furnizimi i ujit me ndërprerje, ndryshimet në presionin e ujit, shpimi i tubave nga lidhjet e paligjshme, mbajtja e ujit në depozita dhe pompat thithëse të instaluara nga konsumatorët etj.’

Atëherë kush përgjigjet për cilësinë e ujit në Shqipëri? Firmat e ndërtimit? Vetë konsumatori? Kujt ia paguan konsumatori ujin ‘e pijshëm’? A duhet t’ia kërkojë këtë ujë atij që ia paguan?

Pra cili është autoriteti që kontrollin cilësinë e ujit? Pikërisht UKT në Tiranë dhe institucionet simotra respektive në çdo qytet të Shqipërisë. Por çfarë thonë përfaqësuesit e UKT-së? A e rekomandojnë ata konsumin e ujit të rubinetit?

Të pyetur nga AgroWeb.org, deklarata zyrtare nga zëdhënësja e UKT-së vjen pa ekuivok: ‘Ujësjellësi i Tiranës, garanton qytetarët se cilësia e ujit të pijshëm që shpërndahet nga rrjeti i UKT-së, është në përputhje me të gjitha standartet ligjore. Si i tillë ai mund të konsumohet normalisht nga të gjithë.’

Por ç’ndodh nëse je një qytetar britanik që udhëton për në Shqipëri?

Këshilla zyrtare e Qeverisë Britanike nuk lë vend për interpretim: ‘Uji i rubinetit në Shqipëri mund të shkaktojë sëmundje – ju duhet të pini vetëm ujë në shishe.’

Po nëse jeni shtetas zviceran?

‘Sistemi i ujësjellësit në Shqipëri është i vjetër dhe i pastabilizuar. Ndaj duhet treguar kujdes me konsumin e ujit të rubinetit.’

E për më tepër, Qendra Botërore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon vaksinimin për të huajt që udhëtojnë drejt vendit tonë – ‘Sepse mund të infektoheni me Hepatit A, përmes ujit dhe ushqimit të ndotur në Shqipëri, pavarësisht se në cilin qytet qëndroni.’ Sipas Bankës Botërore “Uji i pijshëm dhe infrastruktura shpërndarëse në Shqipëri është tejet e vjetëruar, e dëmtuar dhe joefikase. Rrjedhjet në rrjet janë të konsiderueshme dhe rreziku për shëndetin e popullsisë është i madh.”

Pas rritjes së çmimit të energjisë, edhe pse nuk garantohet 24 orë, rritja e ujit të pijshëm edhe pse nuk garantohet 24 orë e mbi të gjitha nuk garantohet nëse është i pijshëm është një tjetër shqetësim jo i vogël.

E ndërsa është në favor të rritjes së çmimit të ujit për konsumatorët, ERRU ka edhe një shqetësim për veten dhe shoqëritë në varësi teksa në raport shkruan se: ‘ERRU është në parim kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve.’/AgroWeb.org