Plazhe shkëmbore në bregdetin ranor të Adriatikut

1.5k 0

Bregdeti i Adriatikut përmendet si një nga zonat me ndryshimin më të lartë të relievit. A të kujtohen plazhet e gjera,hapësirat e pafundme me rërë dhe pyjet e pishave? Pas viteve 90, rëra u përdor për ndërtime, ndërsa pishat i hapën vend godinave të panumërta.

Vetëm gjatë 20 viteve të fundit, plazhet e Kavajës dhe të Durrësit kanë mbetur sa çereku i hapësirës së mëparshme. Të gjithë fajësojnë erërat e Adriatikut dhe erozionin.

Duke tentuar t’i mbijetojnë ndryshimeve, pronarët anonimë të bregdetit po ndërtojnë barriera në det për ta ndaluar atë të kafshojë plazhet.

Pamje satelitore të bregdetit shqiptar të Adriatikut - Foto AgroWeb

Me këtë ritëm, erozioni po i afrohet Gjirit të Durrësit, plazheve të tij dhe vetë qytetit. 

Por Adriatik ka edhe në bregun italian përballë Durrësit!

Atje nuk ka erozion, as zgjatime të shëmtuara, megjithëse fryn e njëjta erë dhe brigjet lagen nga i njëjti det.

Në fotot satelitore duket qartë edhe se sa ka ndikuar grumbullimi i inerteve për ndërtimin e zgjatimeve në det në pjesën shqiptare të Adriatikut, në cilësinë e ujit të detit, thjesht duke bërë krahasimin e ngjyrës së detit me anën italiane të bregut.

Por atje nuk ka ndërtime pa kriter pak metra larg buzës së detit. Prandaj bregdeti italian mbetet po ai i viteve më parë, ndërsa Adriatiku shqiptar sillet egër me Kavajën dhe Durrësin.

Pamje satelitore të bregdetit të Barit në pjesën italiane të Adriatikut - Foto AgroWeb

Brenda pak viteve, Adriatiku shqiptar rrezikon të kthehet në pikë materialesh inerte, pasi plazhet nuk do t’i rezistojnë furisë së detit.

Më shumë se një e treta e bregdetit Adriatik në Shqipëri është duke u gërryer – në një normë prej një deri në dy metra në vit, çka është përshpejtuar dhe nga heqja e zhavorrit dhe e rërës nga plazhet për industrinë e ndërtimit, ndërtimit të pakontrolluar përgjatë bregdetit, shpyllëzimi i zonave të mëdha bregdetare, madje edhe brenda zonave të mbrojtura.

Në fakt degradimi i tokës është identifikuar si një çështje madhore për Shqipërinë që ndikon jashtëzakonisht në cilësinë e jetës së gjithë secilit nga ne dhe ato të brezave të ardhshëm. Por veprimet duket sikur kanë mbetur vetëm në letër dhe në panele diskutimi, ndërkohë që qytetet tona shumë shpejt do të jenë nën ujë, toka do të rrëshqasë dhe pyjet dalëngadalë po zhduken. A mos ndoshta duhet t’i japim lamtumirën plazheve të Adriatikut?/AgroWeb.org