Portokallet dhe Mandarinat Shqiptare Rrëmbejnë Shijen e Europianëve

1.1k 0

Eksportet e portokalleve dhe mandarinave shqiptare kanë njohur një rritje domethënëse në vitin që kaluam por edhe në vijim.

Rritja e kultivimit të plantacioneve me portokalle dhe mandarina ka rritur prodhimin e tyre e për rrjedhojë eksportet duke mbushur tregjet jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit.

Llukan Kote, administrator i “Kote Farm” thotë për AgroWeb.org se këtë vit eksporti i portokalleve dhe mandarinave në vendet europiane është dyfishuar.

Rritje kërkese nga tregjet europiane

“Shqipëria është një vend i bekuar. Ne na favorizon shumë klima duke bërë që të rriten portokallet dhe mandarinat me shijen më të mirë dhe me cilësinë më të mirë gjithashtu. Ky ka qenë një vit pozitiv.

Në lidhje me eksportet, vetëm në Europë ne kemi eksportuar rreth 600 ton mandarina dhe portokalle” shprehet Kote për AgroWeb.org.

Kryesisht, vendet në të cilat eksporton “Kote Farm” janë Polonia, Estonia, Lituania, Çekia dhe Ukraina.

Por krahas këtyre të dhënave, një sasi e kondirueshme prej 800 ton mandarinash dhe portokallesh vetëm nga ky grumbullues janë eksportuar në Kosovë.

“Kërkesa është në rritje dhe kjo vjen për shkak të cilësisë që portokallet dhe mandarinat kanë. Janë jo vetëm të sigurta për tregun europian por gjithashtu me shijen më të veçantë dhe plotë” vijon Kote.

Shqipëria renditet e shtata në Europë për prodhimin e portokallëve në vitin 2018, duke u ngjitur një vend në renditje në krahasim me një vit më parë.

Eurostat: Shqipëria kryeson listën e eksportuesve të agrumeve në Europë

Në një raport të fundit të Eurostat, bëhet e ditur se 2018-n në Shqipëri u kultivuan 300 ha me portokalle, me një rritje prej 50% në raport me sipërfaqen në 2017-n.

Ndërsa prodhimi arriti në 10,800 ton, me një rritje prej gati 20% . Shtimi i ndjeshëm i sipërfaqes në 2018-n është një tregues se prodhimi mund të rritet më shumë në vitet në vijim, kur të hyjnë në prodhim fidanët e rinj.

Në Europë raportohen vetëm 10 shtete që kultivojnë portokalle për shkak të klimës së tyre të përshtatshme. Në 2018-n, Shqipëria rezulton që ia ka kaluar Francës, e cila prodhoi rreth 10 mijë ton portokalle.

Sipas Eurostat, Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE) korrën 6.5 milion ton portokall në vitin 2018. Ky ishte niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010 dhe u mbështet nga korrja rekord në Spanjë (3.6 milion ton portokall, ose 56% e totalit të BE-së ).

Kërkesat klimatike për portokallet bëjnë që prodhimi të jetë i kufizuar në një pjesë të vogël të Shteteve Anëtare. Përveç Spanjës, vendet e tjera kryesore prodhuese ishin Italia (1.6 milion ton, ose 24% e totalit të BE) dhe Greqia (0.9 milion ton, ose 14% e totalit të BE)./AgroWeb.org