Presioni dhe Stresi i Shqiptarëve në Punë – Pasoja në Shëndet dhe Familje

549 0

Në Shqipëri, stresi në punë po shndërrrohet në një fenomen me përmasa serioze, shqetësuese.

Konfirmimi vjen nga mjekë të shëndetit mendor, ndërsa në një sondazh të viteve fundit, të cilit i referohet AgroWeb.org rreth 75 % e shqiptarëve shprehen se ndihen të stresuar në punë. Dhe, tendenca sa vjen dhe rritet.

Mungesa e një komunikimi bashkëpunues, drejtues prepotentë, paaftësia për të punuar nën presion, mospërshtatja në profile të caktuara pune etj

Por edhe në raste të tjera, orët e zgjatura dhe presionet e ndryshme të eprorëve në mënyrë të vazhdueshme nxisin ngarkesa emocionale, e për pasojë, sipas mjekëve një stres të zgjatur që ka pasoja për çdo individ.

“Në praktikën klinike, jo rrallëherë na takon të shohim individë ekstremisht të dëshpëruar dhe të demoralizuar për të ardhmen e tyre dhe të familjes, të cilët shprehen se e kanë të pamundur të kontrollojnë jetën e tyre dhe se ndihen të paaftë të marrin vendime, në një ambjent mbytës pune.

Në vendin tonë kultura e punës dhe stilet e komunikimit lënë shumë për të dëshiruar” shprehet mjeku psikiatër, Sadik Lala në një komunikim social.

Por stresi i vazhduar në punë nuk është një gjendje e parëndësishme, e cila mund të anashkalohet lehtë.

Pasojat e tij, kanë një ndikim direkt në shëndet ashtu si edhe në jetën familjare, për shkak të sjelljeve nervoze.

Çfarë shkakton stresi në punë dhe cilat janë pasojat?

Sipas mjekëve, të cilëve u referohet AgroWeb.org stresi i vazhdueshëm në punë, pavarësisht nga shkaku, redukton dukshëm energjinë dhe rendimentin në kryerjen e detyrave individuale.

Por jo vetëm kaq, ndikimi në shëndet dhe në jetën familjare është edhe më problem.

“Kjo gjendje ul dukshëm gjithashtu edhe rezistencën e organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare e kardiovaskulare duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to.

Njerëzit, për të cilët puna dhe drejtuesit prepotentë dhe të paaftë i’u është shndërruar në një burim të vazhdueshëm ankthi ndihen të mërzitur dhe anciozë, bëhen nervozë dhe manifestojnë shenja trupure të ankthit, të cilat patjetër kanë një ndikim shumë negativ në jetën familjare dhe personale dhe shoqërohen gjithnjtë me një ndjesi të lodhjes kronike” shprehet mjeku Sadik Lala.

Të tjerë persona, thekson ai, pavarësisht nga përvoja dhe aftësitë e tyre shumë të mira profesionale, arrijnë deri aty sa dyshojnë seriozisht në aftësitë e tyre të spikatura, duke u shndërruar në “robotë” që mezi presin të mbyllin ditën e punës.

Këto gjendje, sipas mjekut Lala, shoqërohen shpeshherë me simptoma trupore si dhimbje koke, dhimbje qafe, rendim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, problem me frymëmarrjen etj.

Çfarë duhet të bëni?

Mos lejoni stresin të udhëheqë ditën tuaj, shëndetin dhe jetën familjare gjithashtu.

“Së pari, përpiquni të ndërgjegjësoheni sadopak mbi realitetin.  Sqarojini vetes suaj gjërat që nuk mund të ndryshoni dhe dhe gjërat që janë në dorën tuaj për t’i ndryshuar.

Tingëllon pak si e pakuptimtë dhe e përgjithshme por jo kjo duhet bërë në kohën e duhur sa pa u rënduar dhe më tej situata.

Sidomos nëse jeni vërtetë të mbingarkuar me punë. Nëse e keni të nevojshme, merrni disa ditë pushim nga ditëpushimet tuaja vjetore.

Kështu do të rrimerni energjinë dhe të riktheni motivimin. Këto janë disa këshilla të thjeshta, por shumë efektive, që do t’jua rekomandonte çdo specialist si fillim” shprehet ndër të tjera mjeku Sadik Lala./AgroWeb.org

Disa Metoda Natyrale Për Trajtimin e Stresit dhe Ankthit 

Përdorimi i disa bimëve medicinale, si kamomili, lulesahati, valeriana, lavanda apo bari i bletës për të trajtuar stresin dhe ankthin është shumë efikas dhe vjen në ndihmë falë aftësive qetësuese që ato kanë.

AgroWeb.org ju këshillon se të gjitha këto bimë mund të përdoren dhe konsumohen si çaj i zakonshëm.

Për më tepër informacion se si të trajtoni stresin dhe ankthin edhe në mënyra natyrale klikoni këtu./AgroWeb.org