Produktet që e bëjnë Shqipërinë të pasur

345 0

 

 

Të dhënat më të fundit nga “Atlas of Economic Complexity” tregojnë trendin e tregëtisë totale të Shqipërisë nga viti 1995 deri në vitin 2013.

Në vitin 1995 eksportet tona ishin relativisht të varfra, në pjesën më të madhe veshje për burra e gra (respektivisht 8 dhe 5%), materiale këpucësh (17%), duhan dhe pak fruta. Ndërkohë që të dhënat e importeve tregojnë për një ekonomi që mezi qëndron në këmbë. Gjatë viteve të para të demokracisë, pas shembjes së regjimit komunist, ekonomia shqiptare vuajti në disa fronte. Shumë nga fabrikat u mbyllën dhe vendi kishte një nevojë imediate për elektro shtëpiake, të cilat nuk mund t’i prodhonim, e deri tek veshjet apo sapuni. Përqindjet këtu janë pothuajse të njëjta, duke qenë se vendi kishte nevojë për shumë produkte, shumica e të cilave për përdorim shtëpiak: që nga frigoriferët, tek makinat qepësë tek pruduktet e flokëve e të kozmetikës.

Një vit më vonë në vitin 1996, vendi duket se ka më shumë nevojë për grurë e miell duke qenë se totalin e importeve e zënë këto produkte me 8%, cigare, sheqer me 1% dhe naftë e rafinuar. Ndërsa në eksport këpucët mbajnë 17% të cilat do të dominojnë deri në vitin 2008, si produkti më shumë i eksportuar. Në vitin 2010 e më tej ne bëhemi më të zgjuar dhe fillojmë të importojmë më shumë shërbime e produkte, të cilat do të kishin një kosto më të madhe, nëse do të prodhoheshin në vend.

Gjatë pesë viteve të fundit importet e Shqipërisë janë rritur në masën 0.3% nga $4.8 Bilion në 2008 në $4.88 Bilion në 2013, ku mbizotëron nafta e përpunuar me 14.4% të totalit të importeve të Shqipërisë. Kjo e ndjekur nga makinat, që përbëjnë 3.84%, dhe paketimet e ilaçeve 2.9%. Ndërkohë që eksportet janë rritur me 4.7%, nga $2.09 Bilion në vitin 2008 në $2.62 Bilion në 2013. Në eksporte sërish është nafta dominuese, por këtë herë e papërpunuar dhe me një përqindje shumë më të lartë me 29.9% të totalit të eksporteve e ndjekur nga materialet e këpucëve me 8.24%.