Qumështi mbetet në shishen shqiptare

257 0

Mund të justifikohesh fare lehtë nëse humb në një botë fantazish teksa dëgjon Bedri Demën, se sa me pasion flet për biznesin e tij të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Dikur një punonjës i thjeshtë, sot një fermer i suksesshëm me 500 krerë lopë në fermën e tij Fogi Farm në Kashar. Sapo ka perënduar dielli e ndërsa kafshët kanë rënë në qetësinë e mbrëmjes, Dema vijon me punët e tij në fermë pa u shqetësuar as nga ndonjë e pëllitur lope apo ndonjë viçi trazovaç që del nga stalla.

Ferma e Demës konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Ballkan me një prodhim prej 26.5 litra qumësht për lopë në ditë dhe me një mesatare prej afro 8.200 litra për lopë në vit. Përveç qumështit, në fermën e tij prodhohet dhe kos e gjalp, të cilat tregëtohen kryesisht në Tiranë e Durrës nën markë Lara. Edhe pse produktet e Demës janë të një cilësie të lartë dhe me standard, sërish ato nuk mund të kalojnë pragun dhe të mund të eksportohen në tregjet evropiane. Dema ashtu si dhe shumë agropërpunes të tjerë të produkteve blegtorale i kanë të mbyllur dyert për në BE, për shkak të mungesës së çertifikimit. Lara duhet të shitet vetëm në Shqipëri.

Ndalimi që Bashkimi Evropian i ka bërë këtyre produkteve shqiptare, të cilat janë vlerësuar me nivel të lartë rrezikupër shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë ushqimore sipas standarteve të BE-së, i kanë shkaktuar jo pak ekonomisë tonë, duke qenë se ekportet luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi, duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në punësim dhe në balancimin e defiçitit tregtar. Shqipëria nuk është në gjendje që të eksportojë mish dhe produkte blegtorale drejt tregjeve të BE për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së origjinës së tyre.

Kjo çështje deri më sot, është konsideruar si përgjegjësia e gjithkujt dhe e askujt duke u kaluar faji sa tek njëra palë sa tek tjera, me rezultatin e një legjislacioni të mangët dhe një sistemi jo funksional gjurmueshmërimi, siç pohon për AgroWeb, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Qumësht dhe Mish, ADAMA, Merita Uruçi. “Eshtë fakt që ne kemi zero eksporte të qumështit dhe nënprodukteve të tij në Evropë. Një përqindje fare e vogël shkon në Kosovë, por jo në tregjet evropiane”, konfirmon për AgroWeb, Merita Uruçi. “Në mënyrë që ne të eksportojmë, duhet që i gjithë sistemi të jetë funksional, që në fakt nuk është. Duke filluar që nga implementimi i ligjit për shërbimin veterinar, tek regjistrimi i të gjithë kafshëve me matrikulimin e tyre. Vetëm kur gjurmimi të jetë funksional dhe ne të arrijmë standardet e BE, ne do të jemi në rrugë të mbarë”, thotë Uruçi.

Qumështi dhe produktet e mishit përmbushin më shumë se 90% të kërkesave të tregut. Përmes projekteve të USAID dhe të Bashkimit Evropian përmes IPA, Shqipëria ka marrë mbështetje finnaciare për implementimin e sigurisë ushqimore përmes çertifikimeve GMP, HACCP dhe ISO.
Megjithatë, zbatimi i legjislacionit të miratuar është i dobët për shkak të mungesës së burimeve financiare për kontrollin zyrtar. Ndërsa bujqësia organike është subvencionuar përmes skemave të drejtpërdrejta, shumica e aktiviteteve në sektor kanë qenë të nxitura nga financimet e donatorëve.

Prej kohësh siguria ushqimore ka vuajtur pasojat e mungesës së reformës, duke u kthyer gati në një lojë ping pongu. Për Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shqetësim është mungesa e implementimit të ligjeve të cilat janë aktualisht në fuqi. “Kanë kaluar 25 vjet dhe faji është hedhur sa në një degë në tjetrën. Nëse nuk zbatojmë këto ligje dhe reforma ne jemi prapë në vendnumëro”, vuri në dukje Rrapaj duke theksuar urgjencën me të cilën duhet të kryhet kjo reformë, e cila do të zhbllokojë dhe eksportet e produkteve blegtorale shqiptare, të cilat në vitet e fundit kanë pësuar një rritje të ndjeshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i qumështit në vitin 2014 shkon në 69.400 hektolitra, ndërkohë që nën produktet e tij si djathi, kanë pasur një rritje në prodhim nga 7.468 ton në vitin 2013 në 10.607 ton in 2014. E megjithatë sërish fermerët stepen për të prodhuar më shumë. “Kjo është mëse normale, pasi ne plotësojmë 90% të kërkesave të tregut dhe nuk mund të prodhojmë më shumë nëse nuk arrijmë të eksportojmë”, thotë Bedri Dema i cili i sfilitur nga pritja e gjatë po përpiqet të çertifikojë produktet e tij dhe të hapet në tregun evropian. Kam pasur kërkesa për eksport në disa vende të BE-së dhe në Kinë dhe po punoj intensivisht që të marr çertifikimin . Ndoshta do të jem me fat dhe shumë shpejt do të mund të eksportoj”, të thotë gati hareshëm që e ka gjetur rrugën për ta nxjerrë qumështin e tij në tregun ndërkombëtar.

Një treg, i cili do t’u kërkojë fermerëve shqiptarë dhe prodhuesit e ushqimit të jenë të çertifikuar ndaj një standardi të sigurisë së ushqimit. Dhe kjo jo vetëm për shkak se ne jemi të projektuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit në tregun e tij, por edhe sepse ky treg është një mundësi shumë e madhe zhvillimi për biznesin shqiptar. Dhe kjo është arsye e mjaftueshme që Bedri Dema dhe shumë fermerë të tjerë të marrin çertifikimin dhe të konkurrojnë në tregun e madh të BE-së. Në mënyrë që Lara të mos ngelet në shishe, por të pihet edhe përtej kufijve tanë. /AgroWeb.org/