Pyetjet Që Duhet T’i Bëni Vetes Përpara Se Të Blini Shtëpi Të Re

458 0

Kur vjen puna tek shtëpia, njeriu përballet shpesh me një dilemë të madhe financiare: të jetojë me qera apo të blejë një shtëpi të veten.

Debatet mbi këtë çështje janë të nxehta dhe për të dyja alternativat ka pikëpamje bindëse.

Nëse jeni të bindur që blerja e shtëpisë është hapi më i zgjuar atëherë ekspertët e AgroWeb.org ofrojnë këto këshilla të rëndësishme.

Gjërat Që Duhet Të Merrni Në Konsideratë Përpara Se Të Blini Shtëpi Të Re

Blerja e një shtëpie të re është një nga vendimet më të rëndësishme që do të merrni gjatë gjithë jetës.

Kërkoni Ndihmën e Një Eksperti

Kompanitë që merren me shitjet dhe qeratë e pronave të paluajtshme përbëjnë pikënisjen e aventurës së blerjes së shtëpisë.

Shumë blerës i shmangin ato me idenë se shërbimi i këtyre ekspertëve shton kostot e shtëpisë.

Megjithatë, ajo që duhet të dini është se komisionet i paguan shitësi dhe jo blerësi.

Ekspertët e pronave të paluajtshme mund t’ju udhëheqin gjatë gjithë procesit të blerjes, që nga negociimi i çmimit e deri tek inspektimi i shtëpisë.

Lexoni Kontratën

Kontratat nuk janë thjesht copa letre. Ato përmbajnë kushte, lëshime e shtrëngime ligjore për të cilat duhet të jeni të mirëinformuar.

Lexojini kontratat dhe nëse keni mundësi negocioni.

Kontratat negociohen dhe për këtë ju hyjnë në punë ekspertët e lartpërmendur.

Planet Afat-Gjata

Me gjasë, blerja e një shtëpie do të jetë angazhimi më i madh financiar që do të merrni në jetë.

Përpara se të blini shtëpinë, që ju duket si e ëndrrave, merrni në konsideratë planet tuaja afat-gjata ku përfshihet: puna, martesa, fëmijët.

Pyetja që duhet t’i bëni vetes: a do të plotësojë kjo shtëpi nevojat e të ardhmes apo do të jetë thjesht një barrë e rëndë financiare.

Nëse shtëpinë do ta blini me një partner, atëherë përpiloni kontrata të kopsitura mirë që mbrojnë interesat tuaja financiare.

Zbuloni Çmimin e Vërtetë Të Shtëpisë Pas Punimeve 

Çmimi i blerjes së shtëpisë është vetëm një prej tarifave të paketës së re të strehimit.

Përllogarisni çmimin e sigurimit të shtëpisë, pajisjeve që do të blini dhe punimet shtesë që kërkon shtëpia.

Nëse vëreni se një shtëpi ju ha më shumë para, atëherë gjeni një tjetër që në total kushton më lirë, por pa bërë compromise në cilësi.

A Ke Arsye Të Forta Për Të Blerë Shtëpi?

Sa i përket strehimit, nuk ka një rregull të artë që njeriu duhet të ketë patjetër një shtëpi në emrin e tij përpara se të mbushë 35 vjeç.

Blerja e shtëpisë është një vendim që mund të merret jo nga të gjithë, sidomos nëse do të merrni kredi.

Duhet të llogarisni mirë këstet e kredisë, interesat, karrierën, kushtet në të cilat jeni, statusin civil e të tjera.

Çështja është a do të zotëroni një shtëpi, apo do ju zotërojë ajo gjatë gjithë jetës?/AgroWeb.org