Rizbulimi i Thesarit të Tropojës

459 0

Në veri të Shqipërisë, në tokën që lind heronj, së paku sipas Eposit të Kreshnikëve, ekziston një monument kulture i quajtur “Gështenja e Bajram Currit”, aty ku trim, siç legjenda thotë, mori forcën për të qenë gati për luftë. Tropoja, toka e heronjve, së shpejti do të jetë “Zonë e Mbrojtur” nga shteti. Jo për meritë të heronjve, as për meritë të burrave të saj në fakt. Bukuria mbretërore e gështenjave do t’i japë Tropojës kurorën e një prej vendeve më mahnitëse në Shqipëri.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, duke vlerësuar vlerën ekologjike dhe atë ekonomike të masivit të gështenjave në Tropojë, po përgatitet që t’i japë statusin “Zonë e Mbrojtur” me qëllim mirëmenaxhimin e sipërfaqes së kultivuar me këtë frut.

Masivi i gështenjave të Tropojës, merr edhe vlerën e një parku turistik, ku shumë vizitorë kuriozë ngjiten drejt tij edhe për turizmin e natyrës, të sportit apo ekoturizmin. Fruti i gështenjës është edhe një vlerë e shtuar në ekonominë e zonës ku rritet, dhe ka një vlerë tepër të rëndësishëm për eksportin shqiptar.

Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan

Specialistët e mjedisit në këtë zonë shprehen se: “do të bëjmë përpjekjet maksimale që ky frut, që konsiderohet i shenjtë për ne, të përpunohet edhe në Tropojë. Sepse është në interes të madh edhe të rritjes së punësimit edhe të rritjes së vlerës së këtij fruti nëqoftëse do të përpunohet këtu ku rritet”.

Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkelzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt. Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë.

Gështenja e Tropojës, dikur një ushqim për shqiptarët e varfër është sot një nga produktet më të kërkuara në Evropën Perëndimore. Ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të gjithë importit të Europës, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE.

Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, veçanërisht nga vendet e industrializuara, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Interesi i madh që ka tregu evropian për këtë produkt të familjes arrore, vjen kryesisht si pasojë e cilësisë së lartë që i karakterizon. Studimet kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale. Dhe po t’iu shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin bio dhe freskinë e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije. Këto gështenja në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave veçanërisht në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë.

Tregu Evropian ka një interes të madh për cilësinë e lartë të gështenjave të Tropojës

Specialisti i ekosistemit të gështenjës, njëherësh kryetar i shoqatës “Gështenja e Tropojës”, inxhinier Shpend Nikoçi, në një intervistë për ATSH, evidenton vlerat që mbart ky frut, në aspektin ushqimor, mjeksor, ekonomik, ekologjik e tradicional, si edhe faktin që gjetjet e fosileve tregojnë se pemët e gështenjës duhet të kenë një origjinë mbi 10 000 vjeçare në këtë zonë.

Duke shprehur shqetësimin e madh për një sërë rreziqesh që i kanosen seriozisht sot kësaj pasurie kombëtare, më e madhja në Ballkan në llojin e saj, ai thekson nevojën emergjente për ndërhyrje të organeve të specializuara të fushës për të mbrojtur atë çfarë i ka rezistuar moskujdesit total të 25 vjeçarit të fundit.

Gjendja e përgjithshme bio-patologjike e pemës së gështenjes si dhe e ekosistemit agro-pyjor që kjo peme formon gjëndet shume e rënduar për një sere arsyesh; aktiviteti intensiv i sëmundjes së kancerit të lëvores i shfaqur ne vitin 1998, i monitoruar dhe luftuar deri në vitin 1990 që shenon ndryshimin e sistemit politik dhe i lënë pasdore ne mëshiren e fatit nga viti 1991; dëmtimet nga faktoret natyror si furtuna, stuhitë, akulli e bora; prerjet ilegale per trafik te lëndes drusore dhe zjarret; degradimi biologjik natyror për shkak të moshës, pasi rreth 60 % e pemëve të këtij agrosistemi janë në moshën e pjekurisë dhe të tejpjekjes.

Por a ka strukturë shtetërore që e administron këtë pasuri? Zoti Nikoçi pohon se deri në vitin 1990, ka qënë pronë shtetërore dhe me ndryshimin e sistemit politik, pësoi fatin si të gjitha pronat e tjera të ndërmarrjeve bujqësore. Nga ajo kohë nuk ka strukturë shtetërore apo komunale që ta administrojë. Trajtohet si pronë private nga fermerët, por asnjëri prej tyre nuk ka dokument pronësie, çertifikatë apo tapi.

Ekosistemi i gështenjës i Tropojës përbëhet nga kultivarë të gështenjës së ëmbël Europiane, Castanea Sativa me pemë të larta, madhështore, me lartësi mbi 25 m, por në gjendje të arrijë madhësinë edhe më të larta deri 30m, 6-8 m në perimetër; ka një sistem rrënjësor shumë të fuqishëm, por me zhvillim të kufizuar në thellësi dhe të fuqishëm nga rrënjët e saj anësore dhe shumë të degëzuar që eksplorojnë tokën thellë. Pemët e gështenjës me prejardhje nga farat në kashnjet, kanë një trung gjigand dhe një kurorë madhështore.

Ky ekosistem, i cili mbulon 22% të sipërfaqes së veshur me bimësi pyjore të Tropojës dhe ka një moshë të lashtë, është autokton në këtë trevë. Statusi i zonës së mbrojtur mund t’i rikthejë sytë e autoriteteve drejt njërës nga zonat më të kërkuara nga të huajt, por deri tani pak të harruar nga shqiptarët.