Rreziku nuk ul konsumin e mishit të përpunuar

357 0

Ka apo nuk ka rrezik mishi i përpunuar në Shqipëri? Është çështje cilësie apo sasie? Të besosh a të dyshosh? Janë shumë pikëpyetjet ardhur pas lajmit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se mishi i përpunuar shkakton kancer. Të parët që reaguan ishin mediat, përfshirë AgroWeb që për hir të shenjtërisë së lajmit përhapën informacionin të konsumatorët. Këta të fundit reagimin e patën edhe më të fortë ndarë në dy ekstreme. Reagimi i parë është ai i tronditjes dhe vendimit për të hequr dorë nga mishi i përpunuar. Ky reagim u pa qartë në sondazhin e AgroWeb ku 93.9% u përgjigjën se kanë marrë pikërisht këtë vendim. Reagimi i dytë ekstrem erdhi nga konsumatorët të cilët zgjodhën, për arsye të ndryshme, të mos i besojnë tërësisht këtij lajmi shokues e të vijojnë të konsumojnë këto produkte pa ndryshuar asgjë.

Reagimi zyrtar? “Nuk ka vend për panik”. Ky pohim erdhi një ditë më parë nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i cili tha se, “Nga analizat e kryera rezulton se përbërësit që përdoren për përpuniminë e mishit nga industritë e prodhimit të produkteve të sallamit në vend janë në nivele normale të përcaktuara nga OBSH.” 

Ministri Panariti theksoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka forcuar rrjetin laboratorik rajonal për të bërë të mundur analizimin e cilësisë së ushqimit nga fabrikat apo fermat, deri tek konsumatori.
Ndërsa pohon se përbërësit janë në nivele normale të përcaktuara nga OBSH, Ministri Panariti shton se “kujdes duhet patur për prodhimet e importit”. Me rrezik sipas Panaritit është përdorimi në masë të tepruar i produkteve dhe mishrave të përpunuar. Ministri Panariti, i cili ka në varësi edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që mbulon sigurinë ushqimore, këshillon që të konsumohen produktet natyrale pa shtim të përbërësve.”

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Ledia Lazri në një intervistë për median deklaroi se” Nuk ka vend as për panik dhe as për alarm, përkundrazi ka vend që ta kthejmë këtë në avantazhin tonë dhe të kujtohemi sesi përqendrimi i madh i konsumit të mishit në dietën tonë është faktor risku për kancerin e zorrës së trashë dhe të stomakut.”

Zonja Lazri thotë se “Ne nuk kemi studime të mirëfillta në Shqipëri sesa mish realisht konsumojmë. Raporti sapo është publikuar dhe për të përpunuar hapat konkretë ka nevojë për më tepër kohë. Hapa të tjerë përfshijnë promovimin e ushqimeve të tjera nëpërmjet metodave të ndryshme si për shembull mekanizmat që nxisin prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore të një diete sa më diverse.”

Deklarata e OBSH thotë qartë se “Mishi i kuq ka element të mirëfilltë kancerogjenë ndërsa mbi 50 gramë mish i përpunuar (salsiçe, proshutë, etj,) rrisin rrezikun e kancerit të zorrëve me 18%.”
Situata post-deklaratë në tregun shqiptar

AgroWeb zhvilloi disa intervista, me konsumatorë dhe tregtarë të produkteve të mishit. Ajo që kuptuam është se në përgjithësi, lajmi nuk ka ndikuar në luhatjen e ekujlibrit të deri tanishëm kërkesë/ofertë të këtyre produkteve. Salsiçet, sallamërat, proshutat, konservat ende vazhdojnë të konsumohen gjerësisht në masë, nga të vjetër e të rinj. Elson Frroku menaxher i një Marketi në Lezhë thotë se: "Për sa kohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka gjetur mënyrën efikase për të ushtruar autoritetin e vet në politikat e insitutcioneve të shëndetit dhe kompanive të produkteve të mishit, për ne është një çështje e largët dhe e parëndësishme."

“Praktikisht, për aq kohë sa popullata konsumatore në qytetin tim dominohet nga mungesa e informacionit dhe nga vështirësia financiare, shton zoti Frroku, informacioni i OBSH nuk ndikon aspak në sjelljen e konsumatorit.“
“Më vjen keq të të them se neve na intereson pak ose aspak nëse ka 18% probabilitet kanceri apo informacione të tilla. Kjo, jo sepse nuk duam t’ia dimë për shëndetin e konsumatorit, por sepse mundësitë dhë kompetencat për të ndërhyrë i kemi të kufizuara. Thjesht jemi të detyruar të shesim atë që na furnizojnë.“- thotë një tjetër menaxher marketi në Tiranë.

Një tjetër tregtar në një market produktesh mishi, në qytetin e Vlorës, shprehet se "klientët janë shumë të interesuar në lidhje me higjenën, mirëmbajtjen e produktit apo datat e skadencës. Ata shumë rrallë kanë interes për natyrën e përbërjes kimike së produktit në vetvete."

Pamundësia për të kontrolluar cilësinë e produkteve të mishit të përpunuar është një tjetër çështje. Midis burimit dhe konsumatorit vendoset një industri e tërë që ia vështirëson konsumatorit përzgjedhjen e ushqimeve alternative më të shëndetshme.

Shumica e konsumatorëve shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për këtë sepse shprehen vulnerabël ndaj kostove ekonomike. Mes kostove shëndetësore (ekonomike afatgjata) dhe atyre ekonomike (afatshkurtëra), shumica e konsumatorëve zgjedhin të parat, sepse i gjejnë më të menaxhueshme për nivelin e të ardhurave këtu. Në Tiranë shumë nga konsumatorët e pyetur u shprehën se për sa kohë me këtë cilësi dhe pasiguri ushqimore i konsumojmë të gjitha produktet e tjera, çfarë dallimi do të bënte mishi i përpunuar?

Siguria apo më saktë pasiguria duket se është kryefjala e konsumit të produkteve jo vetëm të mishit por në gjithçka me të cilat ushqehemi çdo ditë. Hapat të cilat Ministri i Bujqësisë apo përfaqësuesja e OBSH përmendin, duhet të mos vonojnë, në mënyrë që këto produkte të mos ushqehen me ne.