Rritja e çmimeve ul nivelin e blerjeve të konsumatorëve

427 0

Inflacioni vijoi të jetë i ulët edhe në muajin shkurt, duke reflektuar nivelin e ulët të konsumit. Në shkurt, Indeksi i Çmimeve të Konsumit është 1,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7 %, sipas INSTAT.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2020, krahasuar me Janar 2020, është 0,4 %.  Prej kohësh inflacioni është shumë më i ulët se objektivi i Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,30 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,04 pikë. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Rritja më e madhe e çmimeve

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shkurt 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %,  “Transporti” me 1,2 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,8 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” u ulën me 0,7 % secili, pasuar nga “Komunikimi” me 0,3 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 19,3 %, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7 %, “peshk” me 2,3 %, “mish” me 1,3 %. Çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u ulën me 3,5 %.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Janar 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” u ulën me 0,2 % secili, pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,1 %./AgroWeb.org