Sa Kushton Një Tampon Për COVID – 19 Në Shqipëri

630 0

Prej javësh, tamponi për të diagnostikuar COVID-19 mund të bëhet edhe në spitalet private. Por kostoja e tij prej 12 mijë lekë të reja, nuk është e përballueshme nga të gjithë.

Pas një debati të gjatë, dhe të gjendur përpara situatës së shtimit të rasteve të dyshuara me virusin Covid 19, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori në 23 Korrik vendimin për lejimin e kryerjes së testimeve për virusin  SARS-COV-2 në laboratorët jopublik.

Sipas vendimit, në spitalet private do të lejohej testimi vetëm për ata individë, që kanë kërkesë për dokument që provon se nuk janë të prekur nga Covid-19 për të udhëtuar jashtë vendit, dhe jo për ata që kanë shenja të prekjes nga virusi.

Testi serologjik në laboratorët private kushton 40 mijë lekë të vjetra, ndërsa testi i tamponit apo ngarkesa virale e Covid-19, kushton 120 mijë lekë të vjetra.

Jashtë një spitali privat Euronews Albania takoi një familje me 4 anëtarë, e cila kishte ardhur me pushime në Shqipëri. Për t`u kthyer në shtetin grek ku jetojnë dhe punojnë, ata duhet të paraqesin në pikat e kalimit kufitar dhe përgjigjen e tamponit të Covid. Kostoja e këtij shërbimi, e cila për këtë qëllim ofrohet vetëm në spitalet private, i kushton kësaj familjeje 48 mijë lekë të reja.

Gazetarja ka pyetur nënën për arsyen se pse gjenden pranë spitalit privat ku ajo ka treguar se pa bërë tamponin nuk lejohet të kalojnë në doganën greke, gjë e cila ka detyruar gjithë familjen prej 4 anëtarësh të kryejnë testin e Covid 19. Ndërkaq zonja ka shprehur shqetësimin për koston e lartë të testit dhe tha se për një shqiptar që vjen në Shqipëri me pushime kjo kosto është e papërballueshme.

Aktualisht Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon për realizimin e analizës së tamponit në spitalet jopublike./Euronew Albania