Shqipëria ka arritur që të kryejë deri tani mbi 1.7 milionë vaksinime kundër COVID-19. Nga këta janë mbi 770 mijë persona që kanë marrë të dy dozat.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë çdo ditë kryhen gati 10 mijë vaksinime.

Aktualisht vaksinimi është i hapur për çdo person mbi 18 vjeç, i cili  mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, çdo ditë, nga 08:00-20:00.

Ministria e Shëndetësisë thotë se ka një rezervë prej mbi 300 mijë vaksina në dispozicion pasi në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 2,045,310 vaksina antiCOVID.

Në bazë të të dhënave zyrtare të INSTAT, Shqipëria ka një popullsi prej 2.8 milionë banorë dhe deri tani ka vanksinuar me dy doza vetëm rreth 27% të popullsisë.

Kjo do të thotë se vendi ynë është ende shumë larg arritjes së një norme të kënaqshme të vaksinimit.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se janë ende mbi 2 milionë banorë të pa vaksinuar. Me këtë ritëm do të duhen të paktën dhe 200 ditë të tjera për vaksinimin e plotë.

Nga vendet e rajonit, sa i takon numrit të personave të vaksinuar plotësisht Shqipëria qëndron vetëm para Kosovës.

Maqedonia e Veriut (33.9%) dhe Mali i Zi (33.5%) edhe pse e nisën këtë proces pas vendit tonë kanë arritur që të realizojnë më shumë vaksinime.

Deri tani, Serbia qëndron e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor pasi ka vaksinuar 41.5% të popullsisë me dy doza./Burimi:EuroNews