Sekretet e Arrave të Freskëta Shqiptare

857 0

A i keni shijuar arrat e freskëta shqiptare? Shumica e arrave të importuara që ne gjejmë në treg janë të lara, të pastruara përpunuara dhe të thara me nxehtësi. Kjo është arsyeja përse këto arra duken kaq të bukura në krahasim me prodhimet shqiptare.

Një gjë është e sigurt ama, arrat shqiptare mund të jenë të papërpunuara, por shija e tyre nuk ka të krahasuar. Gjëja më e mirë që çdo konsumator duhet të bëjë është të gjejë arra të freskëta vendi që të përfitojë prej tyre vlerat më të mira, të cilat fatkeqësisht humbin me kalimin e kohës dhe me vjetërimin e arrës. Një konsumator i kujdesshëm mund ta dallojë lehtësisht ndryshimin në shije të arrës së freskët dhe asaj të vjetër.

Kur arra është e freskët ajo përmban yndyrna të vlefshme, vitamina, minerale, antioksidantë dhe enzima që kanë vlera të fuqishme mjekësore. Ngrohja dhe nxehtësia, si dhe ekspozimi në dritë dhe në oksigjen për një kohë të gjatë shkatërron këto vlera delikate.

Ekspertët vënë theksin tek rëndësia e konsumimit të arrave të freskëta, sepse jo vetëm që ato janë ndër të paktat fruta që përmbajnë acidet Omega-3, por kanë sasinë më të lartë të këtyre acideve mes gjithë arrorëve të tjerë.

Për këtë arsye dhe jo vetëm, duhet të mbani sytë hapur kur të jeni në treg dhe mund të gjeni akoma arra në ngjyrë të gjelbër që janë të freskëta dhe plot me vlera. Ato që ne konsumojmë kryesisht janë arra të thata, të cilat i përdorim në ëmbëlsira, apo dhe sallata.

Arrat e freskëta me lëvozhgë ngjyrë të gjelbër kanë një shije që vlerësohet nga pak njerëz, për arsyen kryesore sepse ato janë hidhura dhe të athta. Për fat të mirë, ne mund të përdorim proçese tepër të thjeshta për t’i transformuar këto kokrra magjike dhe shijen e tyre të mrekullueshme. Lënia në ujë për dy-tre orë dhe tharja largon taninat e hidhura dhe i bën arrat më të buta dhe me një shije të ëmbël.

Njomja e arrës së freskët ndihmon me tretjen pasi e lehtëson, por mbi të gjitha aktivizon enzimat, mineralet, vitaminat dhe acidet yndyrore.

Arrat e freskëta janë të pasura me energji dhe vlera ushqyese. Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore, të cilat ndihmojnë për të ulur nivelin e kolesterolit. Studimet tregojnë se dietat mesdhetare, të cilat janë të pasura edhe me arra të freskëta, parandalojnë sëmundjet koronare arteriale, duke favorizuar profile të shëndetshme të lipideve të gjakut.

Tradita shqiptare është e pasur me receta për përdorimin dhe gatimin e arrave të freskëta, ku mund të veçojmë glikonë që ngjan si një oaz shijesh perfekte./AgroWeb.org