Sëmundjet e ullirit – Për 20 vite Shqipëria rrezikon përgjysmim të prodhimit

1.2k 0

Nëse nuk merren masa emergjente, pas 20 vitesh rrezikojmë të kemi një rënie prej 50 përqind të prodhimit të variteteve më të mira të ullit kryesisht në zonat e Beratit dhe Jugut. Shqetësimi vjen nga fermerët e këtyre zonave të cilët kanë dëgjuar edhe për një sëmundje e fundit ardhur nga Puglia e Italisë, për të cilën Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti foli gjatë një takimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Ministri Panariti flet për dyshime të forta, por ende të pavërtetura të pranisë së bakterit vrasës në Shqipëri që prek ullishtat por edhe vreshtat

I pyetur nga agroweb, Fitim Zaimi fermer, me profesion agronom në Berat, thotë se variteti i ullit kokërrmadh vitet e fundit ka një humbje prej 15 përqind të prodhimit vetëm për shkak të sëmundjes së njohur si vyshkja e ullirit (verticillium alboatrum Reinke-Berth). Me shqetësim prej fermeri dhe me interesim prej agronomi Fitimi thotë se e ka ngritur këtë çështje në çdo takim e seminar por asgjë nuk është bërë deri më tani. Mbi sëmundjen e fundit ai ka dëgjuar nga televizioni, ndaj ai kërkon nga Drejtoritë Bujqësore të jenë më afër fermerëve në të tilla raste për t’i udhëzuar ata mbi masat që duhet të marrin.
Ministri Panariti foli për dyshime të forta, por ende të pavërtetura të pranisë së bakterit vrasës,Trakeobakteriozes në Shqipëri që prek ullishtat por edhe vreshtat. “T’i vëmë një emër për ato raste që dyshohen, nëse kemi të bëjmë në praninë e kësaj sëmundjeje që çon ne tharjen e shpejtë të ullirit, të vektorëve dhe pastaj të marrim një kompleks masash për të mbrojtur ullishtarinë tonë nga ky virus shumë i rrezikshëm”, tha Ministri Panariti.
Ministri e cilësoi këtë sëmundje si kërcënuese për ullishtarinë shqiptare, ndërsa theksoi se Informacionet që po na vijnë në mënyrë sistematike nga italia por edhe nga Bashkimi Evropian, janë alarmuese. “Nuk mund të themi që sëmundja është prezente, por kemi dëmtime që mund të na bëjnë të mendojmë se sëmundja është prezente, për arsye se akoma nuk kemi një diagnozë të vërtetuar nga qendrat përkatëse siç është Universiteti Bujqësor.”

Media Italiane po shkruan masivisht për një sëmundje të ullirit të shfaqur së fundmi në Pulja shkaktuar nga bakteri Xylella Fastidiosa. Gazzetta dell Mezzogiorno thote se për luftën ndaj bakterit Xylella Fastidiosa janë planifikuar nga buxheti rajonal rreth 6 milion euro.

‘Bakteria që po shkatërron ullishtet e çmuara të Pulias mund të rrënojnë industinë e vajit në Itali’ shkruan prestigjiozia britanike The Telegraph, duke thekuar se bakteri Xylella Fastidiosa, që vjen nga Amerika ka prekur deri tani ullishtet përgjatë 30 mijë hektarëve në zonën e Pulias dhe po përhapet me shpejtësi.

Ndërkohë që shetësimi vijon të jetë i lartë, në ditët në vijim pritet të kemi edhe një diagnostifikim të qartë për ullinjtë e prekur në zonën e Vlorës, pasi Insitucionet përgjegjëse shqiptare duhet të vihen në lëvizje para se dëmi ekonomik të jetë shkatërrues si vetë sëmundja e ullirit.