10 Milion Lekë për Gjuhën Blu

443 0

Situatë emergjence në Shqipëri, ja masat që duhet të marrin fermerët

Përditësim 25 Shator 2014: Panariti në Korçë për Gjuhën Blu

Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti ishte të enjten në Qarkun e Korçës në procesin e nisjes sëeuml; dëmshpërblimit të fermerëve të dëmtuar nga humbjet e shkaktuara në bagëtitë e imëta nga sëmundja e Gjuhës Blu, duke premtuar se proçesi i kompensimit do të mbyllet brenda vitit. Panaritit tha se është zbuluar shkaktari , identifikuar insekti dhe po merren masa për kafshët e sëmura , për të parandaluar përhapjen në qarqet e tjera.

Përditësim 23 shtator 2014: Gjuha blu prek edhe Kosovën

Sëmundja Gjuha Blu e bagëtive ka prekur edhe Kosovën. Në Komunën e Malishevës janë raportuar 14 raste të dyshuara. Drejtori i Bujqësisë në këtë Komunë, Hajrullah Mazreku tha për Telegraf se “Në dy ferma janë regjistruar 14 raste me sëmundjen ‘Gjuha e kaltër’, tek delet, ndërsa në njërën fermë, dy nga shtatë rastet kanë ngordhur, por jemi në pritje të konfirmimit të analizave, nëse këto raste janë me këtë sëmundje.”

Sëmundja e njohur si Gjuha Blu e që prek bagëtitë, ka shkaktuar një situatë epidemike emergjence në Shqipëri. Ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i bagëtive të prekura, Ministria e Bujqësisë njofton se po ndjek në terren përhapjen e sëmundjes në kafshët e imta, kryesisht dele.

Drejtorët e shërbimit veterinar, ekspertët, specialistët e Ministrisë dhe drejtorive të Bujqësisë në rrethe janë shpërndarë në të gjithë zonat ku janë raportuar rastet e përhapjes së kësaj sëmundje. Bazuar në njoftimet e Ministrisë së Bujqësisë sëmundja nuk mund të mjekohet, por vetëm mund të parandalohet. Ministria thekson se sëmundja nuk paraqet asnjë rrezik për njeriun.

Në qarkun e Elbasanit janë rreth 1200 krerë të prekura nga të cilat 250 janë të ngordhura ndërsa në qarkun e Korçës janë rreth 2300 bagëti të prekura nga të cilat 500 kanë ngordhur, thotë Jani Babi, Zv/Ministër i Bujqësisë

Ekspertët e Ministrisë u bëjnë apel fermerëve se groposja e kafshëve të ngordhura nga kjo sëmundja është e detyrueshme. Flakja e tyre përbën Krim mjedisor dhe shëndetësor ndërsa ndalohet lëvizja e tufave të prekura jashtë rrethit. Nëse kafshët e infektuara izolohen që në fillim vdekshmëria është shumë e ulët.

Zëvendës Ministri i Bujqësisë Jani Babi ka konfirmuar në media se në qarkun e Elbasanit janë rreth 1200 krerë të prekura nga të cilat 250 janë të ngordhura ndërsa në qarkun e Korçës janë rreth 2300 bagëti të prekura nga të cilat 500 kanë ngordhur.

Pano Shazo, njëri prej banorëve të qarkut të Korçës, i dëmtuar më shumë prej Gjuhës Blu, thotë: “Ca prej tyre janë të sëmura edhe tani. Kam 10 të sëmura këtu, ndërsa 19 më kanë ngordhur. Ka mbi një muaj që më kanë ngordhur bagëtitë.

Të pyetur nga agroweb, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thanë se ende nuk disponojnë statistika të plota mbi numrin e krerëve të prekura nga sëmundja. Për shkak të situatës emergjente, Ministria e Bujqësisë ka parashikuar një fond prej 10 milion lekësh, i cili ka nisur të shpërndahet. Për çdo kafshë të ngordhur nga sëmundja është parashikuar një vlerë dëmshperblimi prej 5 mijë lëkësh, duke parashikuar kështu mundësinë e prekjes së 2 mijë krerëve nga sëmundja edhe pse Ministri ka përmendur një shifër prej 1200 krerësh deri në këto momente.

Sëmundja ka shkaktuar në situatë emergjente edhe në itali ndërkohë që gazeta Il Messaggero shkruan se Sëmundja e Gjuhës Blu po vret mijra dele në rajonet italiane.

Ministria e Bujqësisë, në kuadër të monitorimit të situatës ka vënë në dispozicion të fermerëve udhëzuesin mbi këtë sëmundje. Në këtë udhëzues fermerët do të gjejnë informacion se çfarë është kjo sëmundje, cilat janë shenjat klinike, cilat janë metodat diagnostikuese të saj si dhe masat që duhen marrë për parandalimin e sëmundjes.

Duke klikuar këtu ju mund të shkarkoni të plotë Udhëzuesin për Fermerët.