Shëndetësia Botërore në Alarm prej Shtimit të Depresionit

503 0

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar të dhëna alarmante në lidhje me depresionin në botë. Sipas saj, numri i njerëzve që vuajnë nga depresioni është rritur me 18 përqind në dhjetëvjeçarin e fundit duke arritur në 322 milionë.

Depresioni te të rinjtë njihet si shkaku kryesor që i shtyn ata të bien pre e lojrave të rrezikshme si Balena Blu.

Duke kërkuar një vëmendje më të madhe të grupeve që përballen me një rrezik më të lartë për t’u prekur nga depresioni, Organizata Botërore e Shëndetsisë njoftoi se rritja më e madhe e njerëzve të prekur nga kjo sëmundje ka ardhur nga viti 2005 deri në vitin 2015. Sipas saj, rritja e njerëzve të prekur nga depresioni erdhi si pasojë jo vetëm e rritjes së përgjithshme të popullsisë globale por edhe të jetëgjatësisë.

Sipas Organizatës, rreziku i çrregullimeve të tilla shtohet në fazat e mëvonshme të jetës. Të dhënat tregojnë se mesatarisht 5.1 përqind e femrave dhe 3.6 përqind e meshkujve janë depresivë ndërkohë që me kalimin e moshës, këto përqindje rriten në 7, 5 përqind për femrave dhe 5.5 përqind për meshkujt.

Njerëzit e moshuar nuk janë grupmosha e vetme ndaj të cilëve duhet drejtuar vëmendja, thotë OBSH. Dan Chisholm, një nga autorët e raportit të OBSH-së tha në Gjenevë se Organizata kërkon ndërhyrje dhe ndërveprim më të madh në lidhje me të rinjtë, femrat shtatzënë dhe nënat e reja.

Ai u shpreh se presioni social ndaj fëmijëve është në rritje, ndaj mësuesit dhe këshilltarët psikologjikë duhet të angazhohen më shumë dhe t’u mësojnë atyre aftësitë e duhura me anë të të cilave mund të mbrohen nga depresioni.

“Pasojat e këtyre çrregullimeve në aspektin shëndetsore janë të jashtëzakonshme,” shkruhet në raportin e OBSH-së. Në matjen e barrës globale të sëmundjeve, OBSH përllogarit numrin e rasteve dhe kohëzgjatjen mesatare të çdo sëmundjeje. Depresioni zë 7.5 përqind të të gjithë kohëzgjatjes së sëmundjeve kufizuese, duke arritur nivelin më të lartë të çdo sëmundje tjetër.

Rreziku i prekjes nga depresioni, rritet si pasojë e varfërisë, papunësisë, humbjes së njerëzve të dashur, sëmundjeve fizike dhe abuzimeve me substanca narkotike.

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri në një deklarim zyrtar e cilëson depresionin si një dukuri mjaft të përhapur në vend dhe sidomos i prekshëm është ai i moshave të reja.

Sipas ISHP, kjo dukuri karakterizohet nga “Ndjesi e të qenët i pashpresë, irritim, të qara të vazhdueshme, mbyllje në vetvete, humbje interesi për aktivitete që u përkasin moshës së tyre, pamundësi për të pushuar, ndihen të pavlerë dhe fajtorë pa shkak, mungesë entuziazmi dhe motivimi, pafuqi, vështirësi në përqendrim, mendime për vdekjen, çrregullime të të ngrënit dhe ushqyerjes”, shpjegon ISHP.

Në vendin tonë mungojnë të dhëna të sakta në lidhje me adoleshentët e prekur nga depresioni, por ISHP shton se në vendet e zhvilluara 11 për qind e tyre janë të prekur nga kjo sëmundje. ISHP vëren se depresioni nis që në fëmijëri, për t’u zhvilluar në përmasa të frikshme gjatë periudhës së adoleshencës./AgroWeb.org