Ushqim Përgjysëm – Rezultate të Pazakonta Mbi Tensionin e Gjakut dhe Organizmin

375 0

“Mbarova për të ngrënë” është shprehja që dëgjohet më shpesh, pas një dite të lodhshme pune kur nuk keni pasur kohë as të ngresh kokën, jo më të hani. Por nëse keni menduar se në këtë mënyrë dhe me këtë stil të ngrëni po shkatërroni organizmin, jeni gabuar, të paktën kështu thotë një studim i ri i publikuar javët e shkuara.

Sipas studimit, agjërimi ose më saktë kufizimi i ushqimit për pesë ditë në muaj mundet të ulë efektet e plakjes dhe ndihmon të luftojë disa sëmundje siç është tensioni i lartë i gjakut. Në studim morën pjesë 100 persona. Gjysma e tyre u ushqyen normalisht për shumicën e muajit, por për pesë ditë me rradhë konsumuan diku tek 700-1,100 kalori në ditë.

Kjo qasje e re në ushqyerje u quajt përgjysmimi i sasisë së ushqimit ditor. Pjesëmarrësit, shumica prej të cilëve ishin mbi peshë por jo obezë, e përsëritën procesin për gjashtë muaj. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve në studim u ushqyen normalisht gjatë gjithë muajit.

Në fund të studimit, ata që kishin përgjysmuar ushqimin 5 ditë në muaj humbën 2.6 kilogramë. Studiuesit vunë re se rënia në peshë nuk ishte i vetmi përfitim nga ushqyerja e kufizuar. Tregues të shëndetit, siç është tensioni i gjakut, ishin përmirësuar thanë shkencëtarët.

Studimi u financua nga Instituti Kombëtar për Plakjen dhe Instituti Kombëtar Kundër Tumoreve në San Francisko të Kalifornisë dhe studimi u publikua në Revistën Science Translational Medicine.

“Pesha trupore, Indeksi i Masës Trupore, yndyrnat e plota të trupit, masa dhjamore në trup, vëllimi i belit, tensioni sistolik dhe diastolik i gjakut, kolesteroli, indeksi i proteinës reative C (treguesi i inflamacionit) dhe proteina somatomedin C, u ulën ndjeshëm veçanërisht tek pjesëmarrësit e rrezikuar nga diabeti.

Ndërkohë masa muskulore dhe ajo e kockave u rrit,” thanë shkencëtarët e studimit. Sipas tyre nivelet e ulëta të proteinës somatomedin C janë të ndërlidhura me rrezikun e ulët për shfaqjen e tumorit ose diabetit.

Dietat ushqimore që i përafrohen agjërimit, gjatë së cilës, njerëzit konsumojnë vetëm ujë ose sasi të kufizuara kalorish, janë bërë shumë popullore, megjithatë shkencëtarët nënvizojnë faktin se dietat ekstreme janë të rrezikshme dhe shumë të vështira për t’u ndjekur.

Sipas ekspertëve, imitimi i stilit të agjërimit, është një qasje më e sigurt dhe më e lehtë për t’u duruar dhe kapërcyer nga të gjithë ata që janë në dietë. Shkencëtarët tani dëshirojnë të kryejnë një studim me pjesëmarrje më të gjërë, duke u motivuar nga gjetja se njerëzit që vuajnë nga rreziku i sëmundjeve që kanë lidhje ose shkaktohen nga obeziteti, përfitonin më shumë nga kjo lloj diete specifike.

Shkencëtarët u shprehën se një studim më gjithëpërfshirës është i nevojshëm për të përsëritur këto rezultate, e megjithatë të dhënat e deritanishme treguan se kufizimi i ndjeshëm i ushqimit për pak ditë mund të jetë një rrugë praktike drejt të pasurit një metabolizëm të shëndetshëm./AgroWeb.org