Shndërrimi i Fshatrave – Rikthim Magjisë së Mikpritjes Shqiptare

1.3k 0

Cicërimat e zogjve dhe vesa e mëngjesit në kopshtet me lule, frutat e perimet, e një aromë që të ndjell në freskinë e saj drejt ndijesisë së një fjale të vetme: Jetë!

Me diellin e artë që shtrin gjerë e gjatë rrezet e tij mbi kodra, shpatet e maleve, çatitë e parmakët e shtëpive, tek sokakët e rrugicat, deri në fushat e mbjella, të gjelbra pa fund.

Me gatimet unike, të përgatitura në zjarrin bubulak e me shijen marramendëse që përveç se aty nuk e gjen askund.

Avllitë me gurë të sheshtë mbi të cilat rendin me hapat e tyre delikate, disi kureshtare pulat e zogjtë e shtëpisë.

Zhurmat e zileve të bagëtive që nisen nga stanet drejt kullotave herët në mëngjes e kthehen drejt staneve vonë në mbërritje të muzgut të parë të mbrëmjes.

Me të ftohtin që të picërron në dimër por që të mbush gjithë krahërorin me frymë e ajër të pastër, e për t’u ngrohur e qetësuar në zhurmën e kërcitjes së druve teksa digjen e lëshojnë flakë në oxhakun e vjetër të ngritur nga të parët e shtëpisë vite e vite më parë.

Me qiellin e hapur, të pastër plot yje, në vallëzimin e tyre të ngadaltë si një vals rreth hënës së madhe rrumbullake a gjysmë,  plot dritë.

Me tingujt e bulkthit dikur afër dhe larg që të kujtojnë dhe të ftojnë drejt mbrëmjes së paqtë e gjumit të qetë.

Si në përralla. Ky ka qenë dikur fshati shqiptar!

I lënë në harresë prej dekadash, por që sot duket se sytë janë kthyer drejt tij për të rikthyer magjinë e dikurshme e për të ftuar turistët e huaj dhe vendas të shijojnë më të mirën e Shqipërisë.

100 porta të hapura për turistët, vendas e të huaj  

E nëse për vet shqiptarët është nostalgjia ajo që i rikthen përherë pas me kujtime tek fshati, për turistët e huaj fshatrat shqiptarë janë një potencial i jashtëzakonshëm tërheqës.

Pamjet natyrale, malet e larta, kodrat, deti, liqenet, lumenjtë, përrenjtë, burimet e pafundme, gatimet speciale, prodhimet e freskëta, objektet kulturore, paqja dhe qetësia shpirtërore, jeta aty është një oaz që ndjell këdo me mrekullitë e tij.

Një projekt, së fundmi i qeverisë shqiptare synon të rizgjojë fshtrat, këtë copë parajse nga Shqipëria, duke përfshirë 100 fshatra nga jugu në veri.

Quhet “100 fshatra” dhe në projektin e qeverisë shqiptare ky do të jetë modeli i ri i zhvillimit rural shqiptar.

Ky projekt fton të gjithë sipërmarrësit që duan të ngrenë struktura agroturistike të çertifikohen dhe më pas të aplikojnë në Skemën Kombëtare, e cila kanalizohet nëpërmes AZHBR-së.

Konkretisht, qeveria do të mbështesë nga 50 % deri në 70 % të financimit sipas kategorive përkatëse çdo sipërmarrës apo investitorë që do të përfshihet në realizimin e këtij projekti.
Konkretisht pikat kryesore kur synohet që të rimëkëmbet zhvillimi i fshatrave e përmes tij turizmi rural ka të bëjë me ngritjen e bujtinave dhe shtëpitë mikpritëse, aktivitetin agroturistik.

Gijthashtu parashikohet nxitje të prodhimit tradicional, ngritjen e punishteve të vogla, makineri, paisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, nxitja e nizjes së bizneseve bujqësore nga të rinjtë (nga 22-35 vjec).

Parashikohet mbështetje për modernizimin e staneve, ngritjen e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale apo edhe ngritja e rrjetit të dyqaneve me prodhime shqiptare.

Një projekt ambicioz, i cili nëse realizohet vërtetë do të kthejë përgjithmonë faqen e zhvillimit të fshatrave shqiptarë duke i shndërruar ata në një fuqi për turizmin shqiptar. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.