Shqipëria importon produkte bujqësore 6 herë më shumë sesa eksporton.Eksportet bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale për vitin 2013 kanë arritur në vlerën e 15.2 miliardë lekëve duke shënuar kështu një rritje me rreth 2 miliardë lekë në krahasim me vitin 2012. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë konfirmojnë edhe ato të dhëna nga Instituti i Statistikave, ku rezulton se sektori i bujqësisë është i vetmi që ka rritjen më të lartë të shkëmbimeve tregtare si rrjedhim edhe sektori me peshën më të madhe në rritjen ekonomike të vendit.
Eksportet bujqësore janë rritur me rreth 2 miliardë lekë. Megjithatë, Shqipëria importon produkte bujqësore 6 herë më shumë sesa eksporton.
Në një raport të fundit të ACIT mbi tregëtinë për Shqipërinë për 2013, i mbështetur nga USAID dhe Assist Impakt, eksportet e prodhimeve bujqësore për vitin 2013 arritën 14.3% më shumë se 2012. Si pasojë kontributi i bujqësisë në totalin e eksporteve është rritur me 6 pikë në përqindje ndërkohë që raporti i mbulimit të importit i rrit në 15.7% nga 13.75% në 2012. Pavarësisht këtyre përmirësimeve kjo shifër mbetet e ulët në krahasim me mbulimin e totalit të importeve (48%). Gjithsesi trendi mjaft pozitiv i vitit të fundit është inkurajues për eksportet nga sektori i bujqësisë.
Grafiku tregon ndarjen e eksporteve sipas shteteve të origjinës.
Burimi: Raporti i ACIT mbi tregëtinë për Shqipërinë për 2013
Italia mbetet partneri më i madh i eksportit përsa i përket produkteve bujqësore duke përfaqësuar 23% (33% në 2012) të totalit të eksporteve bujqësore me një rënie prej 10 pikësh. Gjermania ka zëvendësuar Greqinë si vendi i dytë me 10%. Greqia e cila ka qenë vendi i dytë ku Shqipëria ekportonte më së shumti gjatë vitit 2012, me rreth 14% të totalit të eksporteve, e renditur kështu në vend të tretë me 8% në 2013. Esportet për në Kosovë kanë një rënie nga 10% në 2012 në 5% gjatë 2013-tës.Përveç rritjes së përgjithshme të sasisë, ka patur një diversifikim të destinacioneve të eksportit përgjatë 2013.
Përsa i përket produkteve, statistikat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se Shqipëria eksporton më shumë açuge me 22.3% të vlerës së totalit të eksporteve të produkteve bujqësore, e ndjekur nga bimët medicinale me 22%, perimet me 9% dhe lëkurë e papërpunuar 8.8%.
Edhe në raportin e ACIT, eksportet e açugeve (lloj sardeleje) listohen të parat për të pestin vit rradhazi duke lënë në vend të dytë eksportin e bimëve mjekësore. Eksporti i açugeve në 2013-tën është 21% i totalit të eksporteve me 17% rritje në 2013-tën. Ndërkohë që vlera e eksporteve të bimëve medicinale u rrit në 2013-tën nga 17.6% në 19%. Rritja e vlerës së këtij produkti ka qenë 26%.
Importet
Importi i produkteve bujqësore ka pësuar një rënie të lehtë. Ministria e Bujqësisë raporton për një vlerë importesh të këtyre produkteve rreth 87 miliardë lekë në krahasim me 87,5 miliard lekë që ishte në vitin 2012.
Edhe në raportin e ACIT, situata e importit të produkteve bujqësore, ishte pothuajse e njëjtë me 2012-tën, duke shënuar një rritje prej vetëm 0.47%. Në 2013-tën vlera e importit të produkteve bujqësore zuri 18.15% të totalit të importit. Rritja e fluksit të importit mund të shihet në grafikun e mposhtëm të raportit të ACIT.
Burimi: Raporti i ACIT mbi tregëtinë për Shqipërinë për 2013
Gjithsesi, në vitet e fundit, shkalla e rritjes së eksportit ka qenë gjithnjë më e lartë se performanca e importit në vetvete. Zëvendësimi importeve me produkte vendase ka qenë një trend pozitiv që ka pasur ndikim në produktet bujqësore. Produktet bujqësore në Shqipëri importohen nga një numër i madh vendesh pa një përqendrim të dukshëm në një vend, sipas grafikut të mëposhtëm.
Burimi: Raporti i ACIT mbi tregëtinë për Shqipërinë për 2013
Partnerët kryesorë të importit mbeten Italia dhe Greqia, edhe pse më përqindje të vogla, duke zënë respektivisht 10% dhe 9%. Gjithësi vlerat e tyre kanë pësuar rritje gjatë 2013-tës. Struktura e importit të produkteve bujqësore është më pak e përqendruar sesa struktura e eksporteve. Produktet që importohen më së shumti përfaqësojnë 43.5 % të produkteve të përgjithshme bujqësore.
Si në statistikat e Minsitrisë së Bujqësisë ashtu për vitin 2013 vend të parë në importe ze Gruri me 10.9%, pasuar nga uji mineral me 5.9% të vlerës së totalit të importeve dhe cigaret me 5.3%.
Edhe në Raportin e ACIT për vitin 2013, vend të parë në importe ze gruri dhe drithërat me 10.1% duke shënuar rritje me 56% krahasuar me 2012. Cigaret, që zenë vendin e dytë përfaqësojnë 9.8%, duke u rritur me 5% krahasuar me 2012-tën. Sheqeri i ngurtë ka një rënie me 19% duke pasur vlerën e 4% të totalit të importit. Një tjetër produkt që ka pësuar rënie me -3% ka qenë birra e prodhuar prej maltit. Disa kategori të reja kanë hyrë në importe gjatë 2013-tës por me shumë pak përqindje krahasuar me totalin e importit të përgjithshëm.