Shqipëria me Konsumin më të Lartë të Frutave Përgjatë 1 viti

803 0

Eksportet shqiptare të frutave shënuan një rritje prej 25% gjatë vitit 2019 krahasuar me vitin e mëparshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT-it në vlerë eksportet e frutave llogariten gjatë 2019-s 2.6 miliardë lekë.

Por një raporti i fundit i publikuar nga Organizata për Ushqimet dhe Agrikulturën me qendër në Romë, e rendit Shqipërinë ndër vendet me konsumin më të lartë të frutave përgjatë 1 viti.

Sipas raportit, konsumi për frymë i frutave në Shqipëri llogaritet mbi 150 kg.

Në hartën e publikuar paraqitet niveli i konsumimit të frutave për çdo vend të Europës.

Referuar të dhënave, krahas Shqipërisë, vendet që kanë konsumin të lartë të frutave janë edhe Greqia, Italia dhe Portugalia.

Sipas ATSH Spanja dhe Franca përfshihen në vendet që kanë një konsum mesatar të frutave prej 80-90 kg për frymë.

Bullgaria, Moldavia, Hungaria dhe Sllovakia janë vendet që kanë konsumin më të ulët të frutave për frymë nën 50 kg në vit.

Konsumi i frutave në Shqipëri

Sipas të dhënave të mbledhura ndër vite nga FAO, nivelin më të ulët që nga viti kur filluan të regjistroheshin të dhënat, e mban viti 1992.

Në atë vit një shqiptar konsumonte afërisht 19.5 kilogramë fruta gjatë një viti, rreth 120 kilogramë më pak se sa në ditët e sotme.

Kush konsumon më shumë fruta në botë

Vendin e parë në botë për konsumin më të lartë të frutave e ka shteti i Republikës Domenikane, në të cilin banorët konsumojnë rreth 354 kilogramë në vit.

Në përgjithësi, sikurse tregojnë të dhënat e FAO, vendet me konsumin më të lartë të frutave janë vendet e Amerikës ishullore, si Republika Domenikane, Bahamas, Bermuda, Karaibet, Kolumbia, etj.

Nga vendet europiane, në vend të parë për konsumin e frutave është Luksemburgu, me 200 kilogramë fruta për frymë në vit. Në të dytin renditet Holanda me 176 kilogramë në vit.

Në të tretin dhe të katërt renditet Irlanda dhe Austria, me përkatësisht 158 dhe 154 kilogramë në vit.