Shqiptarët të Fundit në Europë Për Kujdesin Ndaj Shëndetit

401 0

Kur ka qenë hera e fundit që keni bërë një kontroll mjekësor?

Sipas të dhënave të fundit ku bazohet AgroWeb.org, Shqipëria renditet e fundit në Evropë për sa i përket kujdesit për shëndetin.

Raporti i Indeksit të Shëndetit Konsumator deklaron se shqiptarët drejtohen tek mjeku vetëm atëherë kur kanë problem apo ndihen të sëmurë.

Duke shmangur kështu kontrollet rutinë të cilat ndonjëherë bëjnë dhe diferencën në pikasjen e problemeve shëndetësore që në fazat e para.

Shkaqet kryesore të neglizhimit të vizitave sipas mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero, mund të lidhen me edukimin e pakët shëndetësor apo me nënvlerësimin e sëmundjes nga ana e pacientëve.

Ai pohoi se ndodh shpesh që për sëmundje jetë kërcënuese të sëmurët të vijnë vonë në spitale.

Këta faktorë ndikojnë në rëndimin e situatës së tyre shëndetësore, por dhe në efektivitetin e kurës përkatëse.

Ndërsa mjekja Najada Çomo qartësoi se personat që mendojnë se janë të shëndetshëm së paku duhet të bëjnë vizitë mjekësore një herë në vit.

Ndërsa personat me sëmundje të trashëguara apo ato kronike, duhet të kryejnë vizita rutinë sipas konsultës së mjekut të familjes.

Përse duhet të shkojmë tek mjeku?

Mbase ju duket e çuditshme që të shkoni tek mjeku kur ndiheni shumë mirë.

Por të dhënat, të cilave iu referohet AgroWeb.org tregojnë se një e treta e personave që kanë kaluar atakun kardiak, nuk kanë pasur shenja paralajmëruese.

Bllokimi i enëve të gjakut është një tjetër problem i cili mund  të kuptohet përmes vizitave të rregullta tek mjeku.

Po ashtu ndodh dhe me problemet me tensionin e lartë të gjakut, personat që vuajnë nga kjo sëmundje shpesh herë e anashkalojnë duke rrezikuar shëndetin e tyre.

Të dhënat mjekësore kanë treguar dhe rreth 46% e sëmundjeve janë rezultat i gjenetikës.

Këto sëmundje trashëgohen brez pas brezi, dhe është shumë e rëndësishme që të kuptohen që në fazat e para.

Ekspertët theksojnë se nëse një sëmundje kapet në hapat e parë të saj, pacienti ka më shumë mundësi për një kurim të menjëhershëm. /Agroweb.org