Si të Parandaloni Oksidimin dhe Nxirjen e Frutave

672 0

Një pjatë plot me fruta të freskëta të prera mirë dhe plot ngjyra të ndezura është një kënaqësi jo vetëm për stomakun, por edhe për syrin. Por askujt nuk do t’i pëlqente që të konsumonte fruta të nxira.

E keni vënë re që kur prisni një mollë dhe nuk e konsumoni menjëherë, ajo fillon e merr një ngjyrë të padëshirueshme kafe? Ekzistojnë tre sekrete të rëndësishme mbi parandalimin e nxrijes së frutave që çdo amvisë duhet t’i dijë. Në fillim, duhet të dimë që jo të gjitha frutat nxihen pas prerjes.

Bëhet fjalë vetëm për ato fruta që përmbajnë elementë antioksidantë, të tilla si polifenoli. Enzimat që shkaktojnë oksidimin e polifenolit në bimë rezultojnë në prodhimin e pigmentit kaf të melaninës. Bananet, mollët, pjeshkët janë disa prej frutave të rëndësishme të ushqimit tonë që nxihen shpejt pas prerjes. Si të ruajmë ngjyrën e tyre?

1. Zhytini frutat në ujë me kripë

Futja e frutave që përmbajnë elementin e polifenolit siç është edhe molla, në ujë me kripë parandalon çlirimin e pigmentit të melaminës. Hidhni gjysëm luge çaji kripë në një gotë me ujë të ftohtë. Futini frutat aty dhe mbajini për 10 minuta. Pastaj shpëlajini dhe thajini me një pecetë. Do të duhen orë të tëra deri sa ato të nxihen. Kjo teknikë është shumë e mirë nëse prisni miq.

2. Lëngu i limonit

Kjo teknikë është mjaft e njohur dhe përdoret kryesisht për avokado apo për t’i dhënë shije salcës me avokado. AgroWeb.org ju rekomandon që të hidhni nga një lugë çaji me lëng limoni në një gotë me ujë. Nëse nuk keni limon mund të përdorni ananasin ose portokallët. Lëngu i tyre jo vetëm që do t’i japë një shije të mirë frutave të prera, por edhe do të parandalojë nxirjen e tyre.

3. Përdorni ujë të gazuar

Sipas të dhënave, pijet e gazuara parandalojnë nxirjen dhe oksidimin e frutave. Kjo teknikë është ndoshta më e mira dhe e drejtpërdrejta, sepse në këtë rast keni nevojë vetëm për dy gjëra: ujë të gazuar dhe një enë. Futini frutat aty dhe keni mbaruar punë. Kjo teknikë përdoret sidomos kur dëshiron të bindni fëmijët që të hanë fruta pasi situatën mund ta ktheni në një lojë të këndshme./AgroWeb.org