Si Të Përfitoni Fonde për Biznesin Tuaj Përmes Programit Të Granteve IPARD II me Buxhet prej 57.6 Milionë Euro Për Thirrjen e Dytë

570 0

Një shumë prej 57.6 milionë eurosh ofrohet nga BE dhe qeveria shqiptare në formën e granteve, nëpërmjet thirrjes së dytë të granteve IPARD II me qëllim zhvillimin e bizneseve bujqësore.

Periudha e aplikimeve për thirrjen e dytë nis më 30 tetor dhe do të vazhdojë deri më datë 16 dhjetor.

Dhe kur kanë mbetur edhe pak ditë nga hapja e thirrjes, fluksi i të interesuarve për të aplikuar dhe përfituar nga këto fonde krahasuar me një vit më parë është shumë më i lartë.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe ekspertët pranë CBS (Creative Business Solutions), organizatë konsulence biznesi që ofron këshillim dhe krijon zgjidhje për sipërmarrjet lokale, organizatat, donatorët dhe Insitucionet Financiare.

Ergent Pire, Menaxher i Shërbimeve për Agrobiznesin në CBS thotë për AgroWeb se aplikimi në skemën e granteve të IPARD është një procedurë mjaft komplekse që kërkon përfshirjen e shumë aktorëve njëkohësisht.

Sipas tij, këtu përfshihen, agronomë, inxhinierë, arkitektë, ekonomistë etj dhe koordinimi i këtyre aktorëve është vendimtar për të arritur në një dosje të plotë dhe cilësore aplikimi.

Zgjidhjet që çojnë në një aplikim të suksesshëm

Shumë fermerë që kërkojnë të hapin një aktivitet në sektorin e bujqësisë apo agro turizmit apo ta zgjerojnë atë hasin vështirësi në fazën e aplikimit duke mos patur mundësi në aksesimin e këtyre fondeve.

Ndaj dhe z.Pire, nënvizon rëndësinë që ka konsulenca që duhet të marrin të interesuarit në ndjekjen e të gjitha fazave të aplikimit, që në fund të procesit t’i përfitojnë këto fonde.

Gjatë thirrjes së parë të programit IPARD pati një interes të lartë për investime dhe u regjistruan mbi 300 aplikime.

Megjithatë një pjesë e mirë e aplikimeve u skualifikuan për shkak të cilësisë së dobët dhe gabimeve madhore në dosjen e aplikimit.

Në këtë proces, rëndësi të veçantë ka konsulenca në hartimin e planit të biznesit dhe pasqyrave financiare, si edhe asistenca e kualifikuar në përgatitjen dhe grumbulllimin e dokumentacionit të nevojshëm”.

Zyrat e konsulencës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shpjegimin e detajuar të kritereve të programit të grantit dhe mbështesin aplikantët për të definuar saktë planin e tyre të investimit.

Fermat dhe agrobizneset që synojnë të dorëzojnë një aplikim të suksesshëm pranë skemës së granteve IPARD duhet të punojnë ngushtë me një zyrë konsulence të specializuar, përndryshe gjasat për sukses do të jenë mjaft “të ulta” bën të ditur Pire.

Tjetër element i rëndësishëm, i konfirmuar nga z. Pire është se lehtësia që programi IPARD u ofron aplikanteve është që kostot e konsulencës janë të rimbursueshme dhe llogariten si pjesë e të gjithë investimit të aplikantit.

Interesi për Fondet e IPARD gjithnjë e në rritje

IPARD është një program mbështetës i bashkëfinancuar nga BE (75) dhe Qeveria Shqiptare (25) i cili e vendos fokusin te fermat dhe agrobizneset komerciale, me synimin final përmirësimin e konkurencës dhe pajtueshmërinë me standartet e BE-së.

Gjatë thirrjes së parë të programit IPARD pati një interes të lartë për aplikime në të gjithë Shqipërinë.

Duke u mbështetur në përvojën e tij disa vjeçare, Pire thotë se me rritjen e ndërgjegjësimit mbi skemën e granteve IPARD pritet që numri i aplikimeve të jetë akoma edhe më i lartë në thirrjen e dytë.

“Fermat dhe agrobizneset ekzistuese kanë plane të qarta për zgjerimin dhe diversifikimin e aktiviteteve të tyre dhe e konsiderojnë programin IPARD një mundësi të shkëlqyer.

Nga ana tjeter ka një interes gjithnjë e më të lartë nga biznese të afirmuara nga sektorë të tjerë të ekonomisë.

Ata synojnë të investojnë në bujqësi si pjesë e strategjisë së tyre për diversifikimin e portofolit dhe IPARD është një program tërheqës për këto biznese,” shprehet Menaxheri i Shërbimeve për Agrobiznesin në CBS.

Fokusi i aplikimeve:

Thirrja është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus në masat e mëposhtme:

Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:

  • Qumësht
  • Mish
  • Fruta
  • Perime
  • Vresht

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:

  • Qumështi dhe përpunimi i qumështit
  • Përpunimi i mishit
  • Përpunimi i frutave dhe perimeve
  • Vera

Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:

  • Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve;
  • Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës);
  • Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale;
  • Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur):
  • Turizmi rural dhe i Natyrës;
  • Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale;
  • Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures;
  • Prodhimi i energjisë së rinovueshme.

Thirrja e dytë për aplikime do të hapet më datë 30 Tetor 2019.

Afati i fundit i pranimit të aplikimeve është 16 Dhjetor 2019, sipas orarit zyrtar 08:00 – 16:30.

Ndërkohë bëni kujdes, pasi çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 16 Dhjetor 2019 do të refuzohet./AgroWeb.org