Si Të Thani Pjeshkët në Kushtet e Shtëpisë

1k 0

Pjeshkët mund t’i gjejmë akoma në treg fatmirësisht. Por nëse dëshironi që të shijoni mirësinë e tyre përgjatë gjithë vitit, atëherë mënyra më e mirë është tharja.

Në këtë variant, frutat janë të ëmbla dhe të shijshme dhe kombinohen mjaft mirë me tërshërën dhe ëmbëlsira të tjera. Tharja e pjeshkës është një proces mjaft i thjeshtë dhe mund të bëhet lehtë në shtëpi.

Pjeshkët e thara mund të konsumohen si ushqim i shpejtë ose të konsumohen me drithëra.

Recetat për konsumimin e pjeshkëve të thara janë të shumta duke mundësuar kështu shijen e freskët të verës për gjithë vitin.

Për të përfituar nga kjo recetë, ju nevojiten 8-10 pjeshkë dhe lëngu i një limoni që parandalon nxirjen e tyre.

Së pari duhet të pastroni dhe sterilizoni hapësirën ku do të kryeni tharjen e pjeshkëve. Lajini dhe fërkojini frutat me një furçë të butë për të larguar pushin e tepërt.

Ndajini pjeshkët në gjysma dhe hiqini bërthamat. Pjeshkët mund të thahen edhe në gjysma, por si proces zgjat shumë kohë. AgroWeb.org ju sugjeron që t’i prisni në feta të holla ose nga 2-3 feta për një gjysëm pjeshke.

Sa më të holla të jenë fetat, aq më shpejtë do të thahen ato. Përpiquni që fetat e frutit të jenë uniforme që të thahen të gjitha në të njëjtën mënyrë.

Secila prej fetave duhet lyer me lëng limoni që të parandalojë nxirjen. Vendosini fetat një e nga një mbi skarë metalike në qendër të zonës së pjekjes. Temperatura e furrës duhet të jetë sa më e ulët.

Dera e furrës duhet të jetë pak e hapur që të lejojë daljen e lagështirës. Procesi i tharjes në furrë zgjat nga 6 deri në 12 orë, në varësi të pajisjes elektroshtëpiake.

Fetët e pjeshkës duhet të jenë të thata por sërish elastike. Përpara se t’i hiqni nga furra, provoni disa prej tyre që të dalloni nëse janë tharë siç duhet.

Pasi të jenë tharë, hiqini fetat nga furra dhe lërini të ftohen. Futini në një enë të mbyllur hermetikisht ose në një qese për ruajtjen e ushqimeve dhe ruajini në frigorifer ose në ngrirje.

Nëse planifikoni t’i ruani frutat për një kohë më të gjatë, atëherë duhet t’i lejoni të rrinë në një enë pa kapak për 10-12 ditë deri sa lagështia të zhduket tërësisht prej tyre./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.