Ushqimet e përpunuara po manipulojnë shqisën tonë të shijes, duke sabotuar mirëqenien tonë dhe duke na bërë të biem pre e ushqimeve të pashëndetshme. Disa prej ekspertëve më në zë të ushqimit shpjegojnë se më pare, njerëzit e merrnin shijen dhe aromën e ushqimeve nga bimët dhe shtazorët, por tani çdo gjë merret e përpunuar nga fabrikat.

Njerëzit janë gjithnjë në përpjekje për të përmbushur dëshirën e vrullshme për sheqerna, yndyrna dhe sodë nëpërmjet ushqimeve të shpejta me shije të përpunuar. Në këtë mënyrë, ata anashkalojnë nevojat bazë të një shëndeti të mirë. Sheqernat, yndyrnat dhe kripa aktivizojnë disa zona të trurit që kanë lidhje me dëshirën. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, prodhuesit e ushqimeve kanë njohuri të thella mbi mënyrën se si funksionojnë këto zona dhe janë gjithë kohës të angazhuar për të krijuar shije dhe aroma komplekse tek ushqime që pa kuptuar, na duken të parezitueshme.

Lajmi i mirë është që ne mund të riprogramojmë shqisat tona të shijes që t’i vëmë ato në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies tonë. Nëpërmjet gjashtë hapave të mëposhtëm, ju do të ringjallni plot 10,000 gjendra të shijes.

1. Pastroni qiellzën tuaj

Nëse zgjidhni të hiqni dorë gradualisht ose menjëherë nga ushqimet e përpunuara artificialisht, do të kuptoni se ndjesia e shijes do të jetë më e orientuar drejt ushqimeve me shije më të mprehtë.

Ndryshimin do ta kuptoni menjëherë në javët e para, sapo të hiqni dorë nga ushqimet e këqija. Shpërblejeni veten me ushqime të mira. Konsumoni perime përpara se të hani diçka tjetër. Jepini vetes mundësinë për të përfituar shijen dhe strukturën e tyre delikate.

2. Ngadalëso ritmin

Njerëzit janë mësuar të hanë ushqime të përpunuara artificialisht, që nuk kërkojnë shumë kohë ose angazhim. Studime të kryera në vitet 60-70 kanë treguar që shumica e produkteve shtazore siç është bifteku duhen përtypur 25 herë përpara se të gëlltiten. Tani, konsumatorët janë bërë më përtacë. Përtypja e ushqimeve të përpunuara zgjat 10 deri në 15 herë. Në mënyrë që të ringjallni gjendrat e shijes, përtypni ushqimin ngadalë dhe përqendrohuni tek ky proçes. Një veprim i tillë do të ndihmojë me tretjen dhe nëpërmjet tij do të merrni shumicën e ushqyesve që ju nevojiten.

3. Provoni diçka të re

Nëse po përpiqeni të prezantoni shqisat tuaja me ushqime, shija e të cilave shkon përtej të ëmblës ose të kripurës, atëherë duhet të zgjeroni horizontet tuaja me ushqime të kategorive të tjera të tharta siç është qitro, të hidhura sic është shafrani i Indisë ose çokollata e zezë.

Ushqimet e përpunuara mpijnë gjendrat e shijes, por nëse ju i lejoni vetes të provoni shije të vërteta natyrale do të merrni situatën në dorë dhe do të përmirësoni mirëqenien tuaj.

4. Krijoni një lidhje mes ushqimit dhe emocioneve të bukura

Takimet me miqtë ose kushërinjtë dhe ndarja me ta e kohës suaj, por edhe një ushqimi të caktuar është një aktivitet që mbetet gjatë në mendjen e gjithëkujt. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kujtimet e bukura që ndezin dëshirën për një ushqim me shije, mund t’ju shtyjnë të provoni diçka të re dhe me vlera. Rrjedhimisht, nëse kur ishit të vegjël nuk e hanit spinaqin, kjo nuk do të thotë që shqisat tuaja nuk do ta pranojnë kurrë spinaqin e freskët dhe plot vlera që e gjeni në këtë stinë.

5. Angazhoje trurin

Ndjesia kur mezi pret të provosh byrekun që ka bërë mami në shtëpi është ekzaltuese. Ndaj, nëse dëshironi të shkoni përtej shijeve konvencionale të përpunuara, përpiquni të angazhoni trurin dhe të prisni me padurim për të provuar një ushqim me vlera dhe mbi të gjitha natyral. Nëse ushqimi që duhet të provoni nuk ju pëlqen, bindeni trurin dhe lexoni e merrni informacion për atë ushqim të caktuar, që mund t’ju ndihmojë të shembni paragjykimet dhe të vlerësoni vlerat.

6. Mos hiqni dorë
Studimet të cilave iu referohet AgroWeb.org, kanë treguar që nëse ju nuk dorëzoheni dhe vazhdoni ta konsumoni një ushqim që mund të mos ju pëlqejë por ama i bën mirë trupit tuaj, eventualisht do ta pëlqeni atë në një periudhë të mëvonshme. Kjo është një arsye e vërtetë përse nuk duhet të hiqni dorë së ushqyeri fëmijët tuaj me spinaq e perime. Sa më shumë të hash një ushqim të caktuar, aq më shumë do krijosh një lidhje shijes me atë. Për ushqimet e hidhura do të nevojiten plot 20 përpjekje që gjendrat e shijes të mësohen me të.

Provoni receta dhe gatime të ndryshme që ta bëni më të lehtë proçesin e shijimit të një ushqimi./AgroWeb.org