Siguria Ushqimore – Dyqanet e Mishit Drejt Standardeve Europiane

245 0

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi tha se falë mbështetjes së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, thertorja e familjes Mnela në Lezhë i është përshtatur standardeve europiane për siguri ushqimore.

“Një periudhë e re për thertoret. Të përkushtuar dhe serioz, tre djemtë e familjes Mnela ndërtuan themelet e një thertore moderne në qytetin e Lezhës.

I nisur si biznes familjar nga i ati që në vitin 1993, Fatjoni më tregoi me krenari se tashmë kanë mjaftueshëm kapacitet për të mbuluar nevojat e gjithë zonës”, u shpreh Shalsi.

Më tej, ministri tha se, “falë edhe mbështetjes nga fondet kombëtare të AZHBR, kanë vijuar zgjerimin e aktivitetit duke ju përshtatur standardeve europiane për të garantuar siguri ushqimore dhe kënaqësi ndaj konsumatorit”.

“Moment shumë i përshtatshëm për të thelluar komunikimin me aktorë të tillë të tregut, problematikat e të cilëve i njohim shumë mirë dhe nuk janë të pakta. Jam i bindur që nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm do të arrijmë të minimizojmë shqetësimin e informalitetit edhe në këtë sektor, si dhe t’i adresojmë drejt problematikat e tyre”, theksoi Shalsi./ATSH