Sigurimi i Fermerëve – A Mund Të Bëhet Dhe Cilët Janë Hapat e Aplikimit?

289 0

Në muajin shtator, fermerët e zonës së Konispolit në Sarandë u përballën me një dëm të madh ekonomik, për shkak të një stuhie breshëri. Sipas deklarimeve të tyre në media, rreth 30% e prodhimit të agrumeve u dëmtua, ndërsa tek ullinjtë, dëmi vlerësohet edhe më i madh. Breshëri i shtatorit ishte shembulli i fundit i rreziqeve të mëdha ndaj të cilave ekspozohet sektori bujqësor dhe që shkaktojnë periodikisht dëme. Kur nuk është breshëri, mund të jetë përmbytja, ngrica, thatësira apo zjarri. Arsyeja pse fermerët shqiptarë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dëmit ekonomik është mungesa, thuajse totale, e sigurimeve në bujqësi dhe më tej, në të gjithë zinxhirin e vlerës ushqimore. Sigurimi i prodhimit bujqësor është një çështje e ndërlikuar. Aktualisht, produktet e sigurimit në bujqësi pothuajse nuk ekzistojnë.

Siguruesit: Bujqësia ka rreziqe shumë të larta, fermerët nuk e përballojnë dot primin

Edvin Libohova, sekretar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë për revistën “Monitor” se bujqësia është një sektor me rrezik shumë të madh, sepse është e ekspozuar ndaj faktorit natyror dhe faktorëve të tjerë, si sëmundje, parazitë, që e bëjnë këtë sektor shumë të brishtë dhe të ndjeshëm ndaj rreziqeve.

“Nëse ndodh një përmbytje, thatësirë, ngricë, etj., dëmi mund të jetë shumë i madh. Duke qenë sektor me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit duhet të jetë i lartë. Kjo nuk është përvoja jonë, por kjo është përvoja e të gjitha vendeve të tjera, që operojnë me sigurimet në bujqësi. Nga informacionet që kemi, primi i sigurimeve në bujqësi shkon midis 3% dhe 8% e vlerës së dëmit të mbuluar. Ky prim është shumë më i lartë krahasuar me sektorët e tjerë të sigurimit. Me kosto kaq të larta, fermerët është e vështirë të sigurohen vullnetarisht, ndaj ky treg është pothuajse 0” – thotë z.Libohova.

Nga ana tjetër, sigurimi është i lidhur edhe me formalizimin e fermës. Ne e dimë që vetëm rreth 10% e fermave janë të formalizuara, që të hyjnë në kanalet e përfitimit të lehtësive dhe bonuseve.
Deri tani, sigurimi i fermerëve është kufizuar në projekte pilot bashkëpunimi mes institucioneve të kredidhënies dhe kompanive të sigurimit. Por, rezultatet e projektit e bënë shpejt të qartë se sigurimi në këtë sektor është i vështirë dhe sfidues.

“Ka pasur disa përvoja në vitet e shkuara, që një nga kompanitë siguroi rreth 750 sera nëpërmjet bashkëpunimit me një shoqëri kursim-krediti. Në vijim, pati edhe dëme që kompania e sigurimit i mbuloi, rreth 30 dëme në mos gaboj. Kur siguruesi bëri bilancin, produkti rezultoi me humbje dhe ai nuk mund të vazhdonte, nëse nuk rritej primi. Përveç kësaj, primi është i lidhur shumë edhe me numrat. Sa më shumë raste të jenë të siguruara, aq më shumë do të ulet primi. Nëse do të ketë subvencionim dhe do të rritet vëmendja, tregu i sigurimeve është gati për t’u bërë pjesë këtyre skemave dhe për të gjetur risigurues të leverdishëm. Por, duhet filluar diku” – thotë z. Libohova.
Sipas siguruesve, e vetmja zgjidhje për të futur fermerët në skema të sigurimeve do të jetë subvencionimi i primeve nga shteti.

“Nga ajo që kemi konsultuar me ekspertët tanë dhe me ekspertë të jashtëm të fushës, duhet që shteti të financojë primin e sigurimit, të paktën pjesërisht. Ka pasur një vendim qeverie që parashikonte një bashkëfinancim 50% të ritmit nga shteti, nëse fermeri paguante pjesën tjetër. Në atë rast, skema nuk funksionoi. Fondi ishte i vogël, por ndoshta mungonte edhe një përgatitje strukturore. Ndoshta duhej një bashkëpunim midis Ministrisë së Bujqësisë, tregut të sigurimeve dhe fermerëve” – shprehet z. Libohova.

Sipas tij, politikat vazhdojnë të ushqejnë mentalitetin që në rast fatkeqësie, paguan shteti. “Kjo nuk është e drejtë moralisht, sepse barra bie mbi taksapaguesit, por edhe jep një mesazh të gabuar, duke mos nxitur krijimin e një kulture sigurimi. Pra, duhet thyer koncepti që shteti mendon për të gjitha, por njëkohësisht duke nxitur kulturën e sigurimit, përmes subvencionimit të primit”, – thotë ai.

Z. Libohova sugjeron që, nëse do të alokoheshin në buxhet 500 milionë lekë në vit për subvencionimin e primit në bujqësi, sipas skemës së mëposhtme, mund të siguroheshin 25 mijë fermerë të formalizuar në vit./Burimi:Monitor