Sipërmarrja Shqiptare e Bimëve Mjekësore Furnizon Europën dhe SHBA

282 0

Një sipërmarrje mbresëlënëse e prodhimit të bimëve aromatike dhe mjekësore është ngritur në Këmishtaj të Lushnjës, e cila furnizon kompanitë më të mëdha farmaceutike të Europës e shumë shpejt edhe të SHBA-së.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video nga sipërmarrja e Besnik Koçit, ndërsa thekson se “BioBes” është pajisur me një teknologji të avancuar të përpunimit dhe përgatitjes së këtyre bimëve, falë mbështetjes financiare të shtetit përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural”.

“1 nga 400 fermerët shqiptarë që shesin prodhimet e tyre për “BioBes” është edhe Martirjo, i cili gjithashtu u mbështet financiarisht nga AZHBR dhe ka tashmë një mekanikë bujqësore të specializuar për prodhimin e bimëve mjekësore”, – shprehet Rama.

Frida Krifca, drejtoresha e AZHBR-së që ka vizituar këtë sipërmarrje tha se “Martirjo është përfitues i programit IPARD I, masa e 7-të për një mekanikë bujqësore, një traktor, së bashku me agregatët. Kur i ka plotësuar Martirjo mund t’i plotësojë çdo fermer shqiptar dokumentacionin që duhet, për të përfituar ndihmë financiare për të blerë mekanikën bujqësore, e cila është shumë e domosdoshme”.

Skema Kombëtare

Drejtoresha Krifca u shpreh se “në skemën kombëtare të mbështetjes për fermerët për vitin 2020 për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike ne japim një mbështetje prej 200 mijë lekë për hektarë, e cila shkon jo më shumë se 1 milion lekë për fermerët individualë, ndërkohë që shkon deri në 4 milionë lekë për shoqëritë e bashkimit bujqësor”.

Besnik Koçi nga “BioBes” tha se “Martirjo është informuar për IPARD nëpërmjet kompanisë tonë dhe është ndihmuar kryesisht në pjesën e dokumentacionit, pasi edhe ai pjesën më të dokumentacionit e ka plotësuar vetë. Ai bashkëpunon me 50 vetë, kryesisht kur është sezoni i vjeljes, që është edhe fluksi i punës”.

“Të bëhesh përfitues është një proces të cilin duhet ta ndjekësh nga A-ZH dhe të mos punojmë tokat e grekut, italianit ose në çdo vend tjetër ku emigrojnë shqiptarët, kur mund ta ndërtojnë jetën e tyre shumë mirë atje ku kanë lindur”, – tha Koçi, duke shtuar se nuk duhet ta humbasin atë shpresën që Shqipëria nuk bëhet.

Nisja e investimit

“Filluam me investimin e magazinës që ka qenë projekti ynë i parë, në 2016 përmes skemës së AZHBR-së. Në pikën e grumbullimit na vijnë bimë nga e gjithë Shqipëria, nga Konispoli, deri në Vermosh”, – nënvizoi Koçi.

Ai bën të ditur se bashkëpunojnë me 400 fermerë, dhe një nga fermerët më të suksesshëm është edhe Martirjo, i cili ka qenë edhe fitues.

“Kemi filluar në fillim me investimin e makinerive në 2016 e cila kishte një kapacitet të ulët. Në 2017 kemi bërë një investim që e kompletoi linjën dhe e rriti kapacitetin dhe cilësinë e produktit. Kjo linjë ka kushtuar 400 mijë euro, një pjesë ka qenë me ndihmën e AZHBR-së nga skema Kombëtare dhe një pjesë nga skema e mbështetjes në përmbytjen e 2017-s”, – tha Koçi.

Ai theksoi se “kemi eksportuar vjet 1.4 milionë euro, ndërsa nga viti në vit kemi 25% rritje. Kërkesat kanë qenë edhe më të larta”./ATSH