Skandali Me Miellin – Bllokohen 55 Ton Miell Gruri Nga Serbia

661 0

Në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore të produkteve që importohen, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 55 ton “miell gruri”.

Trupa inspektuese e DRAKU, Kukës gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Morinë evidentuan 2 subjekte të cilët do të fusnin në Republikën e Shqipërisë produktin “miell gruri” me origjinë nga Kosova dhe Serbia.

Konkretisht, për ngarkesën 30 ton “miell gruri” nga Kosova me nr.loti 06, pas analizave të kryera nga laboratori i DRAKU, Durrës ky produkt rezultoi me nivelin e proteinës më të ulët se ai i deklaruar në dokumentacion dhe më i ulët se norma e lejuar për prodhim buke.

Konkretisht sipas ekzaminimeve laboratorike niveli i proteinës rezultoi të ishte 11.37 % , 11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë analizën që shoqëron produktin, niveli i proteinës është shënuar 12.08% kurse në ambalazhin e produktit është max 13%.

Ndërsa për ngarkesën 25 ton “miell gruri” nga Serbia produkti nuk kishte përputhshmëri me dokumentacionin shoqërues.

Pra, raport analiza nuk ka nr.loti, date prodhimi/skadimi që ta lidhi me produktin 25 ton miell gruri. Për më tepër niveli i proteinës së deklaruar në raport analize(12.74%) është i ndryshëm nga ai që shënohej në ambalazh të tyre (9.5%).

Menjëherë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri bllokimi e ngarkesës me sasi 55 ton bazuar legjislacionit në fuqi dhe do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.

Mielli serb kryeson listën e eksporteve drejt Shqipërisë dhe Kosovës

Produkti kryesor që Shqipëria dhe Kosova marrin nga Serbia është gruri. Gruri, thekra e misri janë produktet që mbizotërojnë në tabelën e importeve nga ky vend ballkanik.

Por as konsumatorët e Shqipërisë dhe as ata të Kosovës nuk shprehen të kënaqur për cilësinë dhe sigurinë e produkteve të grurit dhe misrit që importohen nga Serbia. Aq më pak të mira janë lajmet e shpeshta për bllokime të drithërave serbe nga autoritetet e kontrollit të cilësisë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë USDA tek raportet lidhur me grurin cilëson se ‘Konsumi i grurit në Shqipëri mbulohet kryesisht nga importi. Shqipëria importon mesatarisht 260,000 -300,000 ton grurë në vit, 49% e të cilit nga Rusia dhe menjëherë pas saj 28% nga Serbia’.

‘Në të kaluarën ka pasur disa përpjekje sporadike për të importuar grurë nga Shtetet e Bashkuara, por pengesë kryesore mbetet infrastruktura e dobët në portet shqiptare’, informon Departamenti Amerikan i Bujqësisë. Edhe pse ka ende problem lidhur me madhësinë e anijeve të trasportit, ka një potencial të mirë për eksporte nga SHBA, thuhet në raport./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.