Supa e Ngrohtë e Shtëpisë – Si Ta Përgatisni Për Këto Ditë Të Ftohta

740 0

Kjo supë, krahas vlerave kurative që ka kundër virozave, është fantastike për të ngrohur dhe rigjallëruar organizmin.

Ajo mund të konsumohet në vaktin e plotë të drekës por mund të konsumohet edhe gjatë vaktit të darkës.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer më sallatë të freskët jeshile, marinuar me limon e vaj ulliri.

Por edhe byrekë të ndryshëm, sidomos ata të përgatitur me gjizë apo me hithra e lakra të egra.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj supe fantastike tipike shqiptare krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Supës së Shtëpisë

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona) 

4-5 thela mish pule  

1.5 litra ujë

4 lugë gjelle oriz

Një kokërr vezë

1-2 karrota

50 gr ose dy lugë gjelle gjalpë të freskët (për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit)

Lëngu i një gjysme kokrre limoni

Majdanoz

Piper i zi

Përgatitja 

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të kaurdisni me pak gjalpë ose vaj ulliri mishin e pulës dhe më pas ta zjeni derisa sa të zbutet mirë në 1.5 litra ujë me kripë, në mënyrë që lëngu të marrë të gjitha vlerat e duhura të mishit.

Mishin e pulës pasi është zjerë e nxjerrim dhe e lëmë mënjanë.

Në lëngun e mishit hedhim orizin e pastruar e të larë, karrotat e grira në kubikë të vegjël, një lugë gjelle gjalpë dhe e lëmë të zjejë në zjarr të ngadalshëm për 25-30 minuta derisa orizi dhe karrotat të zbuten.

Kur supa është gati e heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet. Në momentin që është ende e vakët, e presim vezë dhe limon.

Për këtë, AgroWeb.org ju këshillon që në një tas prej porcelani të hidhni të verdhën e vezës ose një vezë të tërë, rriheni mirë dhe më pas shtoni lëngun e limonit.

Këtë masë e shtojmë pak nga pak, tek supa duke e trazuar njëkohësisht që në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.

Në fund, supës i hidhet mishi i ndarë në fije-fije ose thelat e plota dhe kur serviret spërkatet me pak gjalpë të freskët të skuqur, majdanoz të grirë shumë hollë si dhe piper i zi./AgroWeb.org