Të kreditohen të pakreditueshmit

354 0

Sektori bankar shqiptar arriti t’i mbijetojë paq stuhive të krizës financiare globale e megjithatë standardet e larta për miratimin e kredisë së aplikueshme nga bankat rritën vështirësinë e kreditimit për agrobiznesin. Aksesi ndaj kredisë është tej mase i kufizuar për një pjesë të madhe të popullsisë rurale, kryesisht për shkak se bankat nuk priren të mendojnë se parakushtet ekonomike dhe financiare janë në nivele të pranueshme për të zgjeruar portofolin e tyre të kredive bujqësore. Bankat i dedikojnë sektorit bujqësor jo më shumë se 2-5% të portofolit të tyre të kredisë, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të riskut që shohin në këtë sektor.

Pra në fund, Bujqësia, e cila konsiderohet si sektori kryesor i ekonomisë shqiptare dhe përbën pothuajse gjysmën e të punësuarve dhe rreth një të pestën e GDP-së shihet si e pakreditueshme. Mungesa e kreditimit nga ana tjetër përbën një faktor kufizues për zhvillimin e bujqësisë , që jep ndikimin e saj në ekonomi në një efekt zinxhir.

Ju jeni duke kërkuar riskun, ne ju kërkojmë të investoni tek suksesi, sepse bujqësia shqiptare është një histori suksesi

Gjatë një tryeze të rrumbullakët të mbajtur në fillim të kësaj jave në prezantimin e "Fondit Kombëtar të Garancisë për Kreditimin e Bujqësisë dhe Zhvillimit dhe nisja e dialogut Qeveri-Banka-Fermerë", kryeministri Edi Rama iu kërkoi bankave të nivelit të dytë që të rrisin nivelin e kreditimit ndaj ndërmarrjeve bujqësore. "Ju jeni duke kërkuar riskun, ne ju kërkojmë të investoni tek suksesi, sepse bujqësia shqiptare është një histori suksesi", iu tha kryeministri drejtuesve të lartë të bankave në vend, prezente në takim, duke evidentuar faktin se nëpërmjet "Fondit Kombëtar të Garancisë Bujqësore" qeveria do të marrë përsipër rrezikun e kredisë për fermerët, duke siguruar një pjesë të kolateralit. Vetëm pak ditë më parë nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria e miratoi pikërisht këtë fond prej 300.000.000 (treqind milionë lekë).

Instrumenti i ri i kreditimit në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim pritet të ndikojë në të gjitha ndërmarrjet e sektorit bujqësor. Përfaqësuesi i BERZH për Shqipërinë, Christoph Denk, deklaroi se Fondi Kombëtar i Garancisë për Kreditimin e Bujqësisë është një element, që do të zhbllokojë kreditimin në bujqësi, pasi nëpërmjet fondit ndërmarrjet bujqësore do të kenë një qasje më të gjerë në marrjen e kredive.

Një sektor, i cili sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, është më pak kërcënues në lidhje me shlyerjen e kredisë. Ndërkaq guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bëri thirrje bankave ta shfrytëzojnë këtë mundësi që po iu ofrohet, duke pasur parasysh se rreziku në këtë sektor, sipas tij është zero. "Në Bankën Qendrore, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sektorit bujqësor në ekonomi dhe kjo skemë e re pritet të lehtësojë dhe të nxisë bankat që të rrisin kreditimin e tyre në sektorin rural, i cili për hir të së vërtetës ka qenë ndër më të ultit në vitet e fundit", vuri në dukje Guvernatori Sejko.

Sigurimi bujqësor mund të lehtësojë dukshëm aksesin ndaj kredisë, sepse në fund ajo rrit aftësinë kreditore të fermerëve dhe agjentëve të tjerë në sektorin e bujqësisë. Në atë masë që sigurimi i bujqësisë të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm financiar të sektorit të agrobiznesit. Gjithashtu dhe përfitimet indirekte në drejtim të mundësisë për kredi mund të realizohen në nivele të tjera të zinxhirit të marketingut të agrobiznesit.

Bankierët nga ana e tyre shprehën shqetësimin në lidhje me datajet teknike të proçesit, ndërsa fermerët nga ana tjetër u treguan entuziastë për të mësuar më shumë rreth skemës së re, e cila iu hap një dritare të rëndësishme për të zhvilluar investimin e tyre, duke iu mbuluar një pjesë të kolateralit. Detajet teknike si për fermerët ashtu dhe për bankierët do të bëhen publike në një moment të dytë, pasi Fondi të bëhet i zbatueshëm.

Ky projekt ambicioz në thelb paraqet një situatë të favorshme për të gjithë, pasi fermerët mund të marrin kredi dhe të zhvillojnë biznesin, bankat mund të rrisin portofolin e tyre dhe ekonomia jonë përfiton duke u rritur. Dhe e gjitha ndodh sepse të pakreditueshmit bëhen të kreditueshëm.