Të Mirat e Shqopës – Pasuria e Maleve Shqiptare

3.4k 0

Shqopa është një nga bimët më popullore të Shqipërisë. Vendi ynë është i bekuar në aspektin e klimës dhe tokës dhe ja përse Shqipëria konsiderohet si vendlindja e kësaj bime që ka veti fantastike sa i përket kujtesës, por jo vetëm. Kjo bimë dhe lulet e saj të bukura ngjyrë rozë, vjollcë dhe të bardha shpesh përdoren edhe si ornamente për zbukurime të ndryshme. AgroWeb ju paraqet disa fakte të panjohura për këtë bimë, e cila nga padija mbeti e famshme në të përditshmen shqiptare nga përdorimi për fshesa cilësore. E vërteta është që kjo bimë është 100 herë më e famshme se aq. 

Shqopa është një bimë jetëgjatë. Ajo lulëzon deri në 50 vjet. Në aspektin medicinal, shqopa është një thesar. Ajo është përdorur për vetitë e saj medicinale në shumë kultura dhe breza. Petalet dhe gjethet e saj përdoren gjërësisht për pregatitjen e çajrave shumë të fuqishëm. Ajo është e jashtëzakonshme për të pastruar organet nga toksinat dhe çliruar organizmin nga dhimbjet inflamatore. 

E vërteta është që shqopa funksionon pothuajse si Aspirina apo Paracetamoli. Nëse konsumoni çaj shqope do të vini re se lëngu do të zbusë dhimbje të ndryshme. Aktualisht, shkencëtarët po bëjnë një sërë studimesh mbi të mirat që vijnë nga shqopa dhe mendojnë që çaji i luleve të shqopës ka një sërë implikimesh antivirale. Ajo mund të ulë temperaturën dhe luftojë simptomat e të ftohtit dhe gripit. 

Çaji i shqopës është përdorur në mjekësinë popullore për qindra, në mos për mijëra vjet. Kjo bimë njihet si pastruese natyrale e sistemit gastrointestinal dhe fshikëzës së urinës. Duke nisur nga trajtimi i infeksioneve të fshikëzës, veshkave dhe mëlçisë dhe deri tek spastrimi natyral i organizmit nga parazitët, çaji i shqopës e bën organizmin “të shkëlqejë nga pastërtia.” Në momentin kur në trup shfaqet një infeksion apo parazit, rekomandohet të konsumoni tre filxhanë çaj shqope në ditë deri sa infeksioni të largohet. Çaji i shqopës jo vetëm që ngadalëson progresin e infeksioneve, por ndihmon organizmin të qëndrojë i shëndetshëm duke përzënë toksinat nga organet. Nëpërmjet këtij veprimi, shqopa parandalon sëmundje më të rënda që e kanë zanafillën nga infeksionet.

Shqopa ka një sërë përbërësish të rëndësishëm që e ndihmojnë atë t’i vijë në ndihmë traktit urinar dhe të zgjidhë problemet që mund të dalin në të. Që në lashtësi kjo bimë konsiderohej si një kurë popullore për këto probleme duke shuar inflamacionin në kanalet e urinës, zgjidhur problemet e prostatës dhe gurëve në veshka. Çaji i pregatitur nga lulet e shqopës është gjithashtu një kurë e mirë popullore për diarenë dhe dhimbjet e stomakut. 

Shqopa është përdorur me sukses, veçanërisht në Gjermani për të trajtuar dhimbjet e reumatizmës. Komisioni Federal Gjerman për Bimët Medicinale e ka aprovuar përdorimin e shqopës si bimë me efekte medicinale dhe kurative, sidomos në trajtimin kundër artritit. Përdorimi i suksesshëm i saj për këto dhimbje i detyrohet një substance që largon acidin e tepërt urik nga organizmi. Sipas të dhënave, shqipa funksionon si antiseptik dhe detoksifikues. Një nga mënyrat më efikase për të trajtur dhimbjet nga artriti dhe reumatizmi është pregatitja e çajit të fortë të shqopës dhe të bërit banjë me të. Shqopa nëse e konsumoni si çaj njihet edhe si qetësues dhe ndihmon në vënien në gjumë. Por nëse e konsumoni si bimë ose erëz duhet të dini që ajo nxit urinimin. Ndaj është e këshillueshme që mos ta teproni me shqopën përpara se të bini për të fjetur. 

Shqopën mund ta përdorni të freskët ose të thatë. Lulet e shqopës që mblidhen në vjeshtë mund të thahen dhe të përdoren për më vonë. Çajin e shqopës mund ta përgatisni me gonxhet e freskëta ose të thata. Ekspertët rekomandojnë 4 lugë lule dhe gjethe të thata në ujë të ngrohtë dhe zierje deri në 15 minuta. Deri më tani nuk ka pasur raportime për efektet anësore të përdorimit të kësaj bime mjekësore./AgroWeb.org/