Të Vërtetat dhe Legjendat për Uthullën e Mollës

207 0

Uthulla e mollës është fiksimi i çdo amvise. Ajo përdoret si në ushqim ashtu edhe për të bërë punët e shtëpisë. Shkencërisht është e pranuar që uthulla është fantastike dhe gama e shërimeve dhe përfitimeve që ajo ofron është e gjërë por jo e pafund.

Pikë së pari duhet të dini që të gjitha uthullat kanë në përmbajtjen e tyre një përbërës aktiv të njohur si acid acetik që do të thotë se të gjitha uthullat janë njësoj acide, ndonëse uthulla e mollës ka një shije më të butë. Ndryshimi mes uthullave është që ato me ngjyrë të errët mund të kenë antioksidantë si pasojë e frutave si rrushi, shega, etj.

Në Shqipëri uthulla e mollës po prodhohet gjithmonë e më shumë gjatë viteve të fundit, pasi shihet si një zgjidhje optimale për vlerësimin dhe përdorimin e mollëve të kategorisë C, mollëve të cilat nuk kanë cilësinë e duhur në pamje për t’u shitur në treg.

Gjithnjë e më tepër, linjat e përpunimit të mollëve dhe teknikat e prodhimit të uthullës së mollës po kthehen në investime të sigurta për fermerë, investitorë dhe grumbullues të mollëve, sidomos pranë zonave të kultivimit të tyre. Duke qenë se në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për teknika prodhimi artizanale, uthulla e mollës Made in Albania është e një cilësie të lartë dhe produkt natyral.

Vlerat e vërteta të uthullës së mollës

1. Ul nivelin e karbohidrateve që merr në ushqim. Acidi acetik ndërhyn tek enzimat në stomak që merren me tretjen dhe nuk lejon përthithjen e kalorive nga ushqimet me karbohidrate.

Në teori, kjo do të thotë që uthulla ndihmon me rënien në peshë, por përpara se t’i futesh bukës me uthull me idenë që ajo nuk do të lejojë marrjen e kalorive, ki paraysh që nuk janë bërë kërkime të mjaftueshme mbi sasinë e kalorive që uthulla largon nga trupi dhe ekziston besimi mes shkencëtarëve që karbohidratet që nuk përthithen nga stomaku gjithsesi përfundojnë në zorrë, e si rrjedhojë i merr sërish ato kalori të shkreta.

2. Ndihmon në uljen e sheqerit. Konsumimi i uthullës para ushqimit ul dozën e sheqerit që do të vërshojë në qarkullimin e gjakut e si rrjedhojë nuk do të kesh atë trullosjen kur niveli i sheqerit në gjak është tepër i lartë.

3. Ndihmon me ngopjen. Një studim ka treguar që njerëzit që konsumonin uthull para se të hanin mëngjes që përfshinte bukë të bardhë, ishin më të ngopur edhe pas 90 minuta në krahasim me ata që kishin ngrënë vetëm bukë të bardhë. Megjithatë 2 orë pas mëngjesit të dy grupet ishin sërish të uritur.

4. Ndihmon muskujt të prodhojnë energji. Atletët shpesh konsumojnë uthull molle të holluar një natë përpara garës, pasi ajo kthen karbohidratet në energji.

5. Mund të ulë tensionin e gjakut. Studimet e kryera tek kafshët sugjerojnë se pirja e uthullës mund të ulë tensionin e gjakut me disa pikë. Megjithatë shkencëtarët nuk e dinë saktësisht nëse kjo do të funksiononte tek njerëzit.

6. Heq erën e keqe të gojës. Elementët anti bakterialë të uthullës shkatërrojnë mikro-organizmat që shkaktojnë erën e keqe të gojës. Në teori kjo është e vërtetë, por sipas mjekëve, uthulla nuk është më aktive se produkte të tjera anti-bakterialë që janë prodhuar për të bërë të njëjtën gjë – larguar erën e keqe të gojës. Por gjithsesi mbetet një nga zgjidhjet më organike dhe më të thjeshta.

7. Pastron frutat dhe perimet. Uthulla e holluar mund të ndihmojë në pastrimin e frutave dhe perimeve. Uthulla ka elementë anti-bakterialë dhe si rrjedhojë mund të luftojë patogjenë si Salmonela. Mënyra më e mirë është që të hollosh uthullën në ujë dhe të spërkasësh produktet me të dhe më pas t’i shpëlash me ujë të bollshëm.

8. Shmang erën e këmbëve. Mund të lagësh një peshqir me uthull të holluar dhe të fshish këmbët. Antibakterialët në uthull do të shmangin erën e keqe të këmbëve.

9. Ndihmon me dhimbjen pas pickimit të kandilit të detit. Në rast se do të kesh një përvojë të tillë, urojmë të kesh uthull me vete. Uthulla ç’aktivizon lëndën djegëse të lëshuar nga pickimi më mirë se çdo produkt tjetër.

10. Ekuilibron vlerat e pehashit. Uthulla është acid, pra ka një efekt neutralizues që do të thotë se balancon vlerat e pehashit në trup. Në teori thuhet që njerëzit që hanë më shumë perime dhe më pak mish kanë një përqendrim më të lartë mineralesh në kocka. Sipas të njëjtës teori, uthulla mund t’i bëjë kockat më të forta.

11. Ndodh që … lehtëson urthin. Carol Johnston, studiuese në Shkollën e Shëndetit dhe Ushqyerjes në Arizona State University tregon që vlerat e uthullës varen nga burimi i urthit. Nëse urthi shkaktohet nga plagët në ezofag ose ulçera në stomak, atëherë uthulla do të përkeqësojë problemin. Por nëse urthi ndodh nga diçka që ke ngrënë, atëherë acidi acetik do të neutralizojë problemin në stomak dhe do të të çlirojë nga shqetësimi. Legjendat urbane thonë që uthulla lehtëson dhimbjet e stomakut nga infeksionet bakteriale, por ky pretendim nuk është i verifikuar shkencërisht sipas Johnston.

6 legjenda të pavërteta të uthullës së mollës

Besimet popullore për meritat e uthullës mund të funksionojnë, por për sa kohë nuk janë të provuara shkencërisht, atëherë nuk mund të rrezikosh.

Uthulla shëron aknet – Mund të keni lexuar shumë për vlerat antibakteriale të uthullës dhe aftësitë për të shëruar puçrat, acidi në uthull do të irritojë lëkurën dhe përkeqësojë puçrat.

Uthulla mund urinë. Një studim ka treguar që pirja e uthullës mund të shuajë urinë, por për ta bërë këtë, duhet të pish aq shumë uthull në stomak bosh sa do të ishte e patolerueshme. Vetë studimi këshilloi kundër përdorimit të uthullës si një alternativë për shuarjen e urisë.

Pastron plagët. Nuk ka asnjë dyshim që uthulla vret bakteret. Por nga ana tjetër, acidi do të irritojë aq shumë plagën sa do të jetë e padurueshme. Plagët mund të pastrohen shumë mirë me një sapun antibakterial.

Zbardh dhëmbët. Kjo është një tjetër legjendë e pavërtetë pasi acidi në uthull mund të shkatërrojë smaltin e dhëmbit ose ta ngjyrosë atë siç ndodh me verën e kuqe,

Zbut diegien nga dielli. Një tjetër legjendë e pavërtetë. Uthulla është acid, ndaj do të ta irritojë lëkurën më shumë se dielli vetë.

Uthulla shërben si pastrues. Sipas disa të dhënave, uthulla ndihmon në qarkullimin e gjakut, pastron mëlçinë dhe gjithë trupin. Por sërish nuk ka asnjë provë shkencore për këtë pretendim.

Nëse jeni dashamirës të uthullës, kini kujdes me përdorimin e saj dhe mbi të gjitha mos e teproni./AgroWeb.org