Tetor i Mbrapshtë për Fermerët Shqiptarë

176 0

Është rasti tipik kur shiu nuk është bereqet. Dy herë brenda vitit, ndërkohë që fermerët shqiptarë ende nuk kanë marrë veten nga hera e parë. Përmbytjet; fatkeqësia natyrore rikthehet teksa shiu i furishëm ka përfshirë një pjesë të mirë të Shqipërisë Jug-Perëndimore duke shkaktuar dalje të lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje të tokës.

Nga përmbytjet e Shkurtit te temperaturat përvëluese të Korrikut, fermerët po përballen me dëme të mëdha në tokat e tyre, me të mbjella të shkatërruara, ulje të ardhurash dhe dëmtim të prodhimit.

Sipas të dhënave të siguruara nga Agroweb, zonat e prekura më së shumti nga përmbytjet janë Fieri, Vlora dhe Berati. Zoti Dhimitraq Qorri, specialist pranë Drejtorisë Bujqësore të Lushnjes pohon për Agroweb faktin se bazuar në të dhënat paraprake nga vëzhgimet në terren, dëmtimi shtrihet më së shumti në të mbjellat foragjere (kryesisht jonxhë) si edhe në tokën e punuar për mbjelljen e grurit. Po çfarë ndodh me serrat? Fatkeqësisht zoti Qorri thotë se më shumë se 15 hektarë serra janë nën ujë vetëm në zonën Fier-Shegan.

Nga përmbytjet e Shkurtit te temperaturat përvëluese të Korrikut, fermerët po përballen me dëme të mëdha në tokat e tyre

Përsa i përket të mbjellave me jonxhë, zoti Qorri konfirmon se në Bashkinë Divjakë, përmbytjet kanë dëmtuar 330 hektarë tokë dhe rreth 254 hektarë në Bashkinë Lushnje. Zonat me dëmtime më të mëdha në jonxhë e foragjere janë Bubullimë 15 ha, Dushk 15 ha, Tërbuf 150 ha, Shënepremte 30 ha, Çermë e vogël 30 ha, Tri urat 120 ha.

Ndërkohë, bazuar në të dhënat e marra nga Agroweb në Ministrinë e Bujqësisë, situata është kjo;

Në zonën e Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Kavajës, të gjithë hidrovoret kanë qenë në funksion të plotë dhe janë furnizuar normalisht me energji elektrike, dhe nuk ka pasur përmbytje të tokave bujqësore. Ndërsa në zonën e Lushnjes, Fierit dhe Vlorës, ka pasur përmbytje të lokalizuara të tokave bujqësore, kryesisht për mungesë të furnizimit me energji elektrike të hidrovoreve.

Në zonën e Fierit janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore në Frakull, Levan dhe Hoxharë. Megjithë largimin e ujit nga sipërfaqja e përmbytur, zona e dëmtuar deri të hënën në mesditë rezultonte rreth 300 ha. Në përmbytjen e kësaj sipërfaqeje, ka ndikuar edhe çarja e bankinës së Kanalit të Ujërave të Larta Levan-Pojan, dhe sipas Ministrisë së Bujqësisë tashmë të gjithë hidrovorët në zonën e Fierit, punojnë me kapacitet të plotë.

Në zonën e Lushnjes, gjatë ditës së shtunë dhe të diel, hidrovori i Karavastasë nuk është furnizuar me energji elektrike për rreth 20 orë ndërsa hidrovori i Tërbufit nuk është futur në punë për rreth 15 orë. Për pasojë, u përmbytën rreth 600 ha tokë bujqësore (kryesisht toka të kripura dhe të pambjella), në zonat Bedat –Karavasta, dhe rreth 20 në zonën e Ngurrzës.

Në zonën e Vlorës, janë në punë të 4 elektropompat e hidrovorit të Akernisë, dhe po punohet për largimin e ujërave në rreth 450 ha toka të kripura dhe të pambjella.

Në zonën e Beratit janë evidentuar përmbytje të pjesshme të tokave bujqësore në rreth 200 ha, në Kutalli, Drenovicë, Samatiçe dhe Rërëz. Po punohet me dy ekskavatorë për largimin e shpejtë të ujërave.
Gjatë një konference për shtyp të dielën, Ministri i Bujqësisë, Panariti, i bëri thirrje OSHEE-së për furnizim pa ndërprerje me energji dhe për riparimin sa më të shpejtë të dëmeve të shkaktuara në rrjetin elektrik nga moti i keq dhe kërkoi bashkëpunimin të koordinuar të të gjitha strukturave vendore për përballimin e situatës.