Thesaret e Malit të Munellës – Panairi i Vlerave të Produkteve të Kësaj Zone

259 0

Në qytezën e Fushë-Arrëzit, u organizua panairi me produkte lokale kushtuar Malit të Munellës, strehës kryesore të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.

Panairi u organizua nga Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz, të cilat u mbështetën nga PPNEA në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.

Banorët lokalë ngritën stendat e tyre ku ekspozuan produkte ushqimore dhe kulturore të lidhura me Malin e Munellës, si lëngjet e prodhuara nga frutat e pyllit, bimë mjekësore, përpunimi artistik i drurit dhe baltës, etj.

Dashamirësia ndaj natyrës u tregua qartazi në fytyrën e banorëve, të cilët e pohuan disa herë se Munella e meriton të shpallet si zonë e mbrojtur.

Panairi u ndoq edhe prej përfaqësuesve të Bashkisë Fushë-Arrëz. Zv/kryetari i bashkisë, Sokol Gjoni, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke nënvizuar rëndësinë e këtij mali për natyrën e biodiversitetin.

Gjithashtu, drejtori ekzekutiv i PPNEA, dr. Aleksandër Trajçe, në fjalimin e tij u shpreh se të tilla evente, të nxitura nga komuniteti lokal, janë tejet të rëndësishme për kauzat natyrore.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, ekipi kishte si qëllim risjelljen në vëmendjen e autoriteteve çështjen e Munellës, duke shpresuar për finalizimin e shpejtë të shpalljes së këtij mali si Zonë e Mbrojtur./Burimi:Atsh