Tregjet e Huaja rrisin Kërkesën për Gështenjat Shqiptare

503 0

Zona veriore e vendit ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë.

Kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet.

Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth Alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkëlzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt. Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë.

Drejt Tregjeve të Huaja

Gati e gjithë sasia e mbledhur nga Masivi i Pyjeve të Gështenjave të Tropojës shkon për eksport, ku kryeson Italia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Në tregun e huaj gështenjat shqiptare shiten disa fish më shtrenjtë se në vend duke sjellë një tkurrje të plotë të pranisë së këtyre gështenjave në tregun shqiptar.

Në Shqipëri prej disa vitesh funksionojnë pesë kompani që mbledhin gështenja për eksport drejt tregjeve të huaja. Kërkesa e tregut vendas mbetet e lartë dhe kjo tregon mundësi për zhvillim të gështenjave shqiptare për eksport, por sidomos për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm.

E gjithë Shqipëria mbushur me Gështenja

Gështenjat shqiptare në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

AgroWeb.org raporton se brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë të madhe numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.