Turizmi dimëror në jug të Shqipërisë ka një kryeqendër. Ajo është Ujërat Termale të Bënjës. Këtu vizitorë të shumtë nga Shqipëria dhe jashtë vendit po vijnë për të kaluar disa orë të këndshme. Megjithëse temperaturat janë nën zero, janë të shumtë turistët që po zgjedhin këtë pikë natyrore .

“Shikoni çfarë mrekullie. Këtu është ujë i ngrohtë mineral. Aty përballë ke malin e Nemërçkës me dëborë. Këtu ke një luginë që duhet të kesh ca mjete për t’u futur, por që ka një mrekulli të paparë. Ata që e kanë vizituar kanë ngelur të mahnitur”, shprehet një qytetar.

“Ne po ja kalojmë aq mirë, saqë themi që kurrë nuk kemi qenë më mirë. Ta frekuentojmë natyrën shqiptare, sepse është parajse në tokë”, thotë një tjetër.

Fare pranë burimeve natyrore të Bënjës ndodhet dhe fshati me të njëjtin emër. Rruga e amortizuar i ka frenuar vizitorët, por disa prej tyre arrijnë të zbulojnë këtë fshat 400-vjeçar, i vlerësuar nga qeveria si Qendër e Mbrojtur Historike.

“Ka qenë kishe me emër, vinin njerëzit flinin 40 ditë këtu. Ka shëruar shumë njerëz. E thoshin pleqtë që bën ferkë. Tani vijnë, po rrallë, nuk vijnë shumë. Ja, një copë rrugë s’e bëjnë, sa do kushtojë?” shprehet një qytetare.

Lumi Langarica, fshati Bënjë dhe burimet termale po kthehen në një qendër turistike natyrore mjaft të frekuentuar gjatë dimrit. Turistët dhe banorët janë në pritje të investimeve të munguara për infrastrukturën turistike dhe atë rrugore./Burimi:Euro News