Duke parë raste në rritje të mos-vaksinimit në Turqi, nënkryetari i Partisë së Lëvizjes Kombëtare (MHP) Sefer Aycan propozoi një ligj të ri me burg të detyrueshëm për prindërit që nuk vaksinojnë fëmijët e tyre.
Politikanët turq planifikojnë të vendosin një dënim me burg prej minimum gjashtë muaj deri në dy vjet për prindërit apo kujdestarët e fëmijëve që shmangin vaksinat.
Kjo synon çrrënjosjen e sëmundjeve si tuberkulozi, hepatiti dhe shumë të tjera.
Nëse miratohet, legjislacioni do të jetë masa e parë ligjore e marrë për vaksinimin e detyrueshëm.
Me shumë familje skeptike rreth çështjes dhe argumenteve për vaksinimin, politikanët turq e ngritën çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.
Ata theksojnë se vaksinimi nuk është çështje e një zgjedhjeje personale, por më tepër një përgjegjësi ndaj popullsisë.
Në Turqi, numri i njerëzve që refuzojnë të vaksinohen është rritur me shpejtësi. Vetëm 1370 njerëz nuk u vaksinuan në vitin 2014 dhe 5091 njerëz në vitin 2015.
Por ky numër shpejt u dyfishua dhe u katërfishua në 2016 dhe 2017, respektivisht me 11,470 dhe 23,000 njerëz të pa vaksinuar.
Ekspertët besojnë se nëse kjo vazhdon, situata do të çojë në shpërthime të sëmundjeve ngjitëse të parandalueshme dhe të çrrënjosura më parë.
Pse po shmangen vaksinat?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka deklaruar se tendenca e re e mos-vaksinimit në Turqi është shqetësuese.
Shkencëtarët janë të shqetësuar për “përhapjen e informacionit të gabuar mbi vaksinat dhe si kjo mund të çojë në mosbesim publik në lidhje me vaksinimet” dhe ndikim negativ në shëndetin publik.
Për të arritur “imunitetin e popullsisë” të paktën 90 deri 95 përqind e njerëzve në komunitet duhet të vaksinohen.
Imuniteti i popullsisë ndihmon për të mbrojtur të gjithë në komunitet, përfshirë të sapolindurit, njerëzit me sisteme të imunitetit problematik, siç janë ata me tumore, pacientët me artrit dhe individë të tjerë që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore.
Sipas profesorit Alpay Azap nga KLİMİK, Shoqëria Turke e Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive, shumë vende po përballen edhe me këto çështje për shkak të rritjes së preferencave organike të jetesës dhe supersticioneve.
Për shkak të lëvizjeve të organizuara kundër vaksinave duke pretenduar se vaksinat shkaktojnë autizëm dhe sëmundje të tjera, shumë njerëz kanë zgjedhur të mos përdorin vaksinat.
Ndërkohë mjekësia njofton se në realitet ka shumë prova shkencore se vaksinat nuk luajnë rol në shfaqjen e problemeve të mësipërme.
Ndërkohë në Shqipëri janë forcuar kontrollet që verifikojnë mos-vaksinimin e fëmijëve dhe nuk po regjistrohen në kopshte apo çerdhe të gjithë ata fëmijë që nuk shoqërohen nga dëshmia e vaksinave të kryera./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje