Ushqim dhe Trajtim – Turshia e Famshme Shqiptare me Domate të Gjelbra Fushe

9.1k 0

Domatet turshi janë pjesë e çmuar e kuzhinës tradicionale të Shqipërisë.

Përgatitja e tyre kërkon kohë, zemër dhe përkushtim nga amvistat shqiptare. Ato njihen zakonisht si “zahire” dhe zakonisht përgatiten gjatë verës për t’u bërë gati dhe konsumuar në çdo stinë.

Edhe në këtë periudhë gjenden lehtësisht domate të gjelbra të fushës, ende të papjekura, të cilat janë gati për turshi.

Domatet e gjelbra nuk përmbajnë substanca pjekëse artificiale dhe janë të preferuara nga konsumatorët.

Të bërit turshi nëpërmjet fermentimit me shëllirë ose uthull është një teknikë e mirë e ruajtjes së perimeve.

Recetat e turshive variojnë nga kultura dhe vende të ndryshme dhe shpesh përfshijnë edhe përdorimin e erëzave.

Llojet më të përhapura të turshive në Shqipëri janë ato të domates, lakrës, specave, perimeve të përziera, kastravecave, patëllxhanëve dhe panxharit.

Domatet turshi janë ndër më të preferuarat për shumë shqiptarë. Ndërkohë për vizitorët e huaj të vendit, mbeten nga ushqimet që duhen provuar patjetër.

Përveç vitaminës C, fermentimi çliron acidin laktik dhe probiotikët të cilët ndihmojnë tretjen.

Siç e dimë, frutat dhe perimet e freskëta përmbajnë antioksidantë natyralë që parandalojnë shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe kancerit.

Megjithatë, jo të gjithë e dinë se fermentimi, në ndryshim nga gatimi i ruan antioksidantët.

Turshitë përmbajnë sasi të hekurit, magnezit, fosforit, kaliumit, thiaminës, riboflavinës, niacinës, vitaminës B-6, folatit, vitaminës B-12, vitaminës A, vitaminës E, vitaminës D, dhe vitaminës K.

AgroWeb.org dëshiron të ndajë me ju recetën më të mirë shqiptare të domateve turshi.

Si të përgatisni domatet jeshile turshi

Përbërësit

1 kg domate jeshile, të pastruara dhe të prera në katërsh ose nëse i preferoni kokërr.

1 gotë me uthull të bardhë

2 gota me ujë

1 lugë gjelle me kripë të fortë

3 lugë çaji me fara lulekopre (këto fara i japin turshisë ndjesi marramendëse për qiellzën tuaj)

6 thelbinj hudhër të qëruar, paksa të shtypur që të lëshojnë vetitë esenciale (ky është një nga përbërësit që i jep një shije krejt unike)

3 deri në 4 lugë çaji me piper kokërr

3 gjethe dafine

Udhëzimet

1. Sterilizoni katër kavanozë qelqi në ujë të valuar. Vendosini kapakët në një tenxhere. Mbulojini me ujë dhe lërini të ziejnë në temperaturë të ulët.

2. Në një tenxhere tjetër kombinoni uthullën, ujin dhe kripën dhe lërini të ziejnë.

3. Shtroni një napë në banak dhe mbi të vendosni kavanozët dhe kapakët e sterilizuar. Më pas në secilin prej tyre hidhni :

1 lugë çaji me fara lulekopre
3-4 thelbinj hudhër
çerek luge çaji me piper kokërr
5-6 gjethe dafine

4. Shtoni kokrrat e domateve në kavanozë. Hidhni ujin e kripur mbi to duke lënë hapësirë në sipërfaqe.

Përdorni lugë druri për të larguar bulëzat e ajrit dhe shtoni ujë me kripë nëse është e nevojshme. Fshini grykën e kavanozëve me një napë të pastër dhe mbyllini kapakët.

5. Vendosini në një tenxhere me ujë të valuar dhe lërini të ziejnë për 10 minuta. Më pas lërini të ftohen mbi një peshqir të vendosur në banak. Kur kavanozët të jenë ftohur plotësisht sigurohuni që kapakët janë të izoluar dhe puthitur mirë.

6. Prisni të paktën 2-3 javë përpara konsumimit. Ruajini kavanozët në një vend të ftohtë e të errët deri në një vit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.