Tym në Adoleshencë – Mos Imitoni Italianët

622 0

Mesatarisht 5-9 përqind e gjimnazistëve shqiptarë tymosin cigare e duhan, çka do të thotë se mijëra të rinj vënë shëndetin e tyre në rrezik, duke u ekspozuar ndaj sëmundjeve të parakohshme.

Realiteti i hidhur i shkollave në ditët e sotme është se, duhanpirja nga nxënësit është ende shumë e përhapur, sipas një studimi të fundit statistikor të ESPAD (Qendra europiane e projektit studimor mbi alkolin dhe drogën) dhe publikuar nga Statista.

Fenomeni është më i përhapur në Itali, Kroaci, Lihtenshtajn dhe pjesë të Evropës Lindore si Rumania dhe Bullgaria. Sipas studimit, nëntë në dhjetë duhanpirës e kanë provuar cigaren rreth moshës 18 vjeçare.

Shqipëria renditet ndër vendet me një përqindje më të ulët të adoleshentëve të moshës 15-16 vjeç që pijnë duhan, por fatkeqësisht vendi është i rrethuar nga shtete ku kjo përqindje është ndër më të lartat dhe rreziku i imitimit është shumë i mundshëm.

Italia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria listohen ndër vendet ku më shumë se 20% e gjimnazistëve pijnë duhan, një fakt ky që e vë Shqipërinë përpara një risku të përhapjes së këtij fenomeni.

Studimi tregon në një farë mënyre domosdoshmërinë e ligjeve më të forta për duhanin, etiketimin e tyre e po ashtu edhe tregëtimin me rregulla më të rrepta.

Këto vende Evropiane, përfshirë Shqipërinë duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur e parandaluar të rinjtë nga përdorimi i duhanit, ose në të kundërt do të shohim mijëra prej tyre të vuajnë nga sëmunjde të parakohsgmë që lidhen me duhanpirjen.

Duhanpirja në gjimnaze shihet si një aktivitet argëtues dhe socializues nga të rinjtë dhe më shumë se gjysma e të rinjve që pijnë cigare nuk e konsiderojnë veten duhanpirës. Kjo, sepse shume prej gjimnazistëve mendojse se do ta lenë duhanin gjatë viteve të mëpasshme.

Fenomeni i duhanpirjes nga gjimnazistët u përhap së tepërmi pas viteve 90’, por kohët e fundit, fatmirësisht është vënë re një rënie e ndjeshme. Edukimi mbi rrezikun e duhanpirjes shihet si një mjet që ka ndikuar mjaft mirë në këtë rënie të përqindjes. Duhanpirja po konsiderohet nga të rinjtë si një mjet jo aq i këndshëm sa konsiderohej vite më parë.

Gjithsesi, tymosja e duhanit nga të rinjtë po shihet gjithnjë e më shumë si një çështje shumë serioze për shëndetin e tyre në mbarë botën./AgroWeb.org