Si Të Ulni Konsumin E Mishit Me Zëvendësues Organikë

373 0

Konsumi shqiptar i mishit është rritur nga 15.3 kg për person në vitin 1963, në 38.2 kg për person në vitet 2000.

Këtu përfshihen të gjitha llojet e mishit dhe kjo tendencë vazhdon edhe në ditët tona.

Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri! Në vitin 2002 Danimarka arriti në nivelin rekord e konsumit të 145.9 kg mish për person.

Kjo rritje botërore në konsumin e mishit ka pasur efekte jashtëzakonisht të dëmshme mjedisore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, vlerëson se industria e rritjes së bagëtive për mish, nxjerr në ajrin që thithim afërsisht një të pestën e dioksidit të karbonit që prodhohet nga aktiviteti i njeriut në tërësi.

Kjo sasi, që në fakt përshpejton ndryshimin e klimës në botë, është më e madhe edhe sesa dioksidi i karbonit që lëshon në ajër industria e transportit, milionat e makinave që shohim në rrugë.

Studimet kanë treguar se reduktimi i mishit në regjimin tonë ushqimor zvogëlon rezikun e kancerit duke qenë se mishi i kuq i përpunuar lidhet direkt me probleme shëndetësore.

Në përforcim të kësaj, dieta e pasur me zarzavate redukton sëmundjet e zemrës, lufton diabetin dhe frenon mbipeshën.

Legjenda e përhapur është se ne kemi nevojë për mish sa herë që ulemi në tavolinën e ngrënies sepse ‘mish’ do të thotë energji dhe proteinë.

Por të rriturit në përgjithësi, kanë nevojë që vetëm 10% deri në 35% e kalorive të tyre ditore të vijnë nga proteinat dhe kjo përkthehet vetëm në 50 gramë.

Për këtë sasi prej 50 gramësh proteina, ka shumë burime të tjera ku ne mund të gjejmë proteinat e nevojshme, duke ulur dalëngadalë varësinë ndaj mishit.

Burime alternative proteinash:

Thjerrëzat

Ato kanë 9 gramë proteina për filxhan të mbushur me thierrëza si dhe 15 gram fibra. Kjo vlen edhe për shumicën e fasuleve.

Bizelet

Një filxhan me bizele përmban 8 gram proteina si dhe aminoacide themelore që janë kyçe për metabolizmin e qëndrueshëm dhe humbjen e peshës.

Spinaqi

Spinaqi përmban 5 gram proteina për çdo tas. Është i pasur me hekur dhe futet në shumë gatime bashkë me ushqimet e tjera.

Arrorët dhe gjalpi i tyre

Arrorët përmbajnë proteina dhe yndyrna të shëndetshme, duke i bërë ato pjesë të vlefshme të një diete me bazë bimore. Të preferuarat tona janë bajamet e fistikët.

Kosi

Një burim i neglizhuar proteinash është edhe kosi, me 13 gr proteinë për filxhan. Kosi është tashmë shumë i përdorshëm në kuzhinën shqiptare, kështu që vlerësojeni përmbajtjen e tij të lartë proteinike.

Kinoa

Ajo është teknikisht një farë dhe përmban më tepër se 8 gr protein për filxhan duke përfshirë edhe 9 aminoacide themelore që trupi ka nevojë për rritje, por që nuk i prodhon dot vetë. Është shumë e përhapur dhe gjendet edhe në ushqimoret shqiptare.

Kështu që inkurajoni familjen dhe miqtë tuaj që të përpiqen të përfshijnë këto produkte tërësisht të gjendshme dhe të përballueshme ekonomikisht në gatime./AgroWeb.org