Këputet Teli Shqiptar – UNESCO Njeh Lahutën si Pjesë të Kulturës së Serbisë

719 0

Lahuta nuk do të jetë më Shqiptare por Serbe. Këtë njeh UNESCO që këtë instrument e ka përfshirë si pjesë bazë e trashëgimisë kulturore të Serbisë.

Është fakt historik qindra vjeçar dhe më gjerë që eposi i kreshnikëve dhe përhapja gjeografike e lahutës në trevat e zotëruara nga shqiptarë përkon me shqipen dhe traditën e Shqipërisë.

Por, fatkeqësisht, tashmë Serbia do të krenohet me të duke e quajtur si pasuri kombëtare sllave.

Shqiptarët duket se nuk i kanë bërë mirë llogaritë përballë ekspansionit kulturor të institucioneve serbe në UNESCO, e cila tashmë e cilëson lahutën si pjesë bazike të trashëgimisë serbe.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë dalë në një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë që kënga me lahutë t’u njihet edhe vendeve të tyre.

Çfarë po bën Shqipëria?

“Regjistrimi nga Serbia nuk është ekskluziv por është i hapur për përgatitjen e një dosje të përbashkët në të ardhmen” – u shpreh në media Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, Ferit Hoxha.

Jelka Vukobratović një nga muzikologet më të famshme të Ballkanit ka deklaruar në media se përfshirja e këtij instrumenti në UNESCO – në Organizatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Edukim, shkakton edhe sot polemika në Ballkan.

“Të kujt realisht janë lahutat?” shkruhet në tekstin që më pas e përkthen Courrier des Balkans.

“Përfshirja e këtij instrumenti gjithmonë i nxeh gjakrat në Ballkan. Plus, tani edhe me konkurrentin e ri, Kosovën, përfshirja e lahutës do të shkaktojë edhe më tepër polemika.

Së fundmi u fol nëpër media se Kosova, bashkë me Shqipërinë, do të kandidonin për ta futur lahutën në Listën e Mbrojtjes së Njerëzimit në UNESCO.

Por Serbia i parakalon të gjithë shtetet shqiptare dhe bind UNESCO-n të vendosë në favorin e saj.

Si reagon Ministria e Kulturë së Shqipërisë?

Lidhur me çështjen e Lahutës, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, në komunikim edhe me Misionin tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, sqaron se asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, se “lahuta nuk është shqiptare por serbe”.

Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës, ashtu sikurse u theksua edhe në këtë mbledhje nga delegacioni i Shqipërisë, vë sërish në dukje se

Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

Përtej gjuhës diplomatike, fakti mbetet kokëfortë – Shqiptarët nuk kanë më ekskluzivitet lahutën si pjesë themelore të trashëgimisë kulturore./AgroWeb.org