Autoritetet doganore të kontrollit ushqimor të Greqisë në alarm prej zbarkimit të disa ngarkesave me oriz të rrezikshëm nga India.

Sipas burimeve zyrtare shqiptare, India është një nga furnizuesit kryesorë të Shqipërisë dhe Kosovës me oriz.

Loading...

Në datën 3 Dhjetor 2018, në Greqi nisi shkarkimi i sasive të orizit me origjinë indiane të cilat më pas do të shpërndaheshin drejt tregjeve vendase dhe europiane.

Autoritetet greke të kontrollit ushqimor kanë analizuar mostrat e orizit të cilat kanë rezultuar krejtësisht shqetësuese dhe alarmante.

Orizi nga India sipas burimeve të AgroWeb.org përmbante tre substanca rreptësisht të ndaluara nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Vetëm gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2018, Greqia ka bllokuar 4 ngarkesa me oriz nga India që nga analizat ka dalë me prani substancash të rrezikshme për njeriun.

Ndërkohë vetëm gjatë vitit 2018, vendet e Bashkimit Evropian kanë bllokuar, asgjësuar apo kthyer mbrapsht 17 dërgesa me mijëra tonelata oriz dhe nënprodukte orizi indian të cilësuara si rrezik për shëndetin.

Çfarë kimikatesh përmban orizi i rrezikshëm nga India?

Saktësisht orizi indian i bllokuar përmban kimikatet super të rrezikshme. Burimet e AgroWeb.org raportojnë se ato janë Acefat (acephate), Kabendazim (carbendazim) dhe Triciklazol (tricyclazole).

Sasitë e këtyre kimikateve dhe pesticideve të dëmshme për shëndetin e njeriut rezultuan totalisht jashtë normave të lejuara edhe nga vendet e botës së tretë.

Acephate është një insekticid organofosfat. Në Indi përdoret në kulturat ushqimore, kryesisht për kontrollin e insekteve afide, duke përfshirë edhe llojet rezistente, në perime dhe në hortikulturë.

Edhe në ato pak vende ku lejohet përdorimi, produktet që përmbajnë acefat duhet të mbajnë fjalën “Kujdes” në etiketën e tyre.

Carbendazimi është një kimikat dhe pesticid i fuqishëm që nuk lejon përhapjen e krimbave të bimëve.

Carbendazimi është i ndaluar me ligj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britaninë e Madhe dhe në Bashkimin Evropian.

Triciklazoli është një pesticid dhe fungicid tejet kimik që përdoret për kontrollin e rritjes së orizit. Ky kimikat nuk është miratuar për përdorim brenda Bashkimit Evropian.

Për të tre substancat, autoritetet shëndetësore të konsultuara nga AgroWeb.org kanë shpallur njoftimin ‘Toksik, nëse gëlltitet’.

Të tre kimikatet e pranishme te analizat e orizit indian paraqiten si tejet të dëmshme dhe me rrezik helmimi të menjëhershëm.

AgroWeb.org i bën thirrje institucioneve të kontrollit ushqimor në vend që të rrisin kontrollet ndaj dërgesave të orizit sidomos nga India.

Nga ana tjetër, konsumatorët duhet të tregojnë kujdes dhe të interesohen për orizin që konsumojnë dhe origjinën e tij sidomos në periudhën e festave të fundvitit, kur konsumi i produktit rritet ndjeshëm./AgroWeb.org

Loading...