Vaksinimi, impakt pozitiv në rritjen e ekonomisë së BE-së

321 0

Ekonomia e Bashkimit Europian po rritet më shpejt sesa pritej në vitin 2021 dhe 2022 falë ritmit të përshpejtuar të vaksinimit në gjithë bllokun e Unionit dhe lehtësimeve graduale që janë bërë sa i takon masave kufizuese anti-COVID.

Deri më sot, vendet e BE-së kanë administruar 175.3 milion doza vaksinash dhe pothuajse 30% e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë.

Këto kushte kanë inkurajuar Komisionin Evropian për të përmirësuar parashikimin e tij ekonomik. Tani vlerësohet se këtë vit ekonomia e BE-së do të rritet me 4.2% ndërsa zona e euros do të zgjerohet me 4.3%.

“Hija e COVID-19 ka filluar të zhduket nga ekonomia e Evropës,” – tha Komisioneri Evropian Paolo Gentiloni, i cili shpjegoi se rritja do të drejtohet nga konsumi privat, investimet dhe një kërkesë në rritje për eksportet e BE nga një ekonomi më e fortë globale.

“Mbajtja e ritmit tani të fortë të vaksinimeve në BE do të jetë thelbësore për shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ekonomitë tona. Pra, le të hapim të përveshim mëngët,” – shtoi Gentiloni.

Të gjitha vendet e BE do të kthehen në nivelin e para krizës deri në fund të vitit 2022, megjithëse disa do të rikuperohen me shpejtësi më të madhe se të tjerët. Polonia, Suedia, Danimarka, Hungaria, Rumania, Sllovakia, Lituania dhe Luksemburgu do të kompensojnë të gjitha humbjet e pandemisë këtë vit, ndërkohë Estonia dhe Finlanda janë afër arritjes së qëllimit të lakmuar.

Vendet e mbetura të BE, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën, do të duhet të presin deri në vitin 2022 për të parë një rimëkëmbje të plotë. Pavarësisht nga rruga e gjatë përpara, në parashikimin e tij të mëparshëm, Komisioni priste që Spanja, Greqia dhe Italia të shëroheshin plotësisht diku në 2023./Burimi:EuroNews