Italia dhe Spanja, dy shtete që kanë varësi të lartë nga turizmi kanë përshpejtuar ndjeshëm ritmet e vaksinimit gjatë javëve të fundit.
Il Sole24 ore shkuan se Italia u rendit ndër shtetet e para në Europë për përqindjen e popullsisë që është vaksinuar plotësisht, së bashku me Spanjën, sipas të dhënave të Our World In Data të Universitetit të Oksfordit, duke qenë mbi mesataren europiane.
Italia shpreson të administrojë 17 milionë doza në maj dhe 20 milionë në qershor, në mënyrë që të vaksinojë të gjithë në prag të sezonit turistik duke i “çliruar” të gjithë, që t’i hapet rrugë rimëkëmbjes së ekonomisë, e cila ka një varësi të lartë nga turizmi.
Sipas të dhënave të faqes (azhurnuar në 22 maj) në Evropë 13.1% e popullsisë ka përfunduar ciklin, ndërsa në Itali janë 15.75% dhe në Spanjë 16.8%, që ndiqen nga Franca (14.2%) dhe Gjermania (13.1%). Ndër vendet që kanë marrë të paktën një dozë, Gjermania kryeson “renditjen” e Bashkimit Europiane me 39.1%, ndërsa Italia ka vaksinuar 33.5% të popullsisë. Mesatarja e Europës është në 28%.
Në të gjithë Europën vijon të kryesojë Mbretëria e bashkuar, me gati 60% të popullsisë që ka marrë të paktën një dozë dhe mbi 30% që është vaksinuar plotësisht. Pas Mbretërisë së Bashkuar, për vaksinimin total renditen Hungaria dhe Serbia.
Në nivel global, grafikët tregojnë ndryshimet e mëdha në shkallën e vaksinimit, ku Izraeli, Britania e Madhe dhe SHBA-të janë shumë përpara vendeve të tjera perëndimore dhe mbi 50% të popullsisë së mbuluar me të paktën një dozë. Ndërsa Brazili dhe India., të cilat janë ndër vendet më të prekurat nga pandemia, kanë përkatësisht 18% dhe 10% të popullsisë që kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa shumë vende afrikane nuk kanë dhënë as edhe një dozë.
Shqipëria, ndër të fundit e Europës
Ritmet e vaksinimit janë ngadalësuar në Shqipëri javët e fundit, ndonëse me afrimin e turizmit pritej të ndodhte e kundërta. Sipas të dhënave të Our World in Data, gati 9% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, ndërsa rreth 8% ka marrë vetëm një dozë, duke bërë që rreth 17% e popullsisë të ketë marrë të paktën një dozë. Shqipëria ia kalon në ritmet e vaksinimit vetëm shteteve të rajonit (përveç Serbisë) dhe vendeve të ish Bashkimit Sovjetik (shih grafikun).
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë janë administruar në total rreth 725 mijë doza vaksinash në vend (Prej tyre 249,898 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID), ndërsa plani është që numri i tyre të arrijë në 1 milion brenda majit. Ritmet e vaksinimit u ngadalësuan dy javët e fundit për shkak të mungesës së vaksinës kineze, e cila është administruar për pjesën më të madhe të të vaksinuarve. Pas ardhjes së dozave, procesi ka rifilluar normalisht. 475 mijë persona në vend kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës deri në 24 maj, gjysma e të cilëve janë vaksinuar tashmë plotësisht./Burimi:Monitor