Vera e shegës, joshja e re e kokrrave të kuqe

465 0

Përdorimet e shegës në kuzhinë janë të shumta. Por a e dinit se shega përdoret edhe për përgatitjen e verës?
Shumë njerëz janë të apasionuar pas verës së shegës, sepse ka një shije fantastike.

Madje, kur zbulon vlerat e panumërta të shegës dhe përmbajtjen e antioksidantëve, atëherë përgatitja e verës me këtë frut është e pashmangshme.

Vlerat shëndetësore të verës së shegës

Në 100 mililitra lëng shege gjenden 16% të dozës së rekomanduar ditore të Vitaminës C për të rritur.

Ky lëng është një burim i mirë i vitaminës B5, kaliumit dhe flavonoidëve natyralë.

Shega i përket kategorisë së ushqimeve me sasi të lartë fibrash. Vera e shegës ka më shumë antioksidantë se vera e boronicës apo ajo e aronias.

Më poshtë do të gjeni disa prej përfitimeve shëndetësore nga vera e shegës:

• Ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Ka të dhëna që mbështesin teorinë se pirja ditore e këtij lëngu ndihmon në rregullimin e qarkullimit normal të gjakut në zemër.

Falë antioksidantëve, shega parandalon formimin e kolesterolit të keq dhe i mban arteriet të pastra.

• Ndihmon trupin dhe strukturën e tij mbrojtëse kundër disa tumorëve, duke qenë se shega ka nivele të larta antioksidantësh që ndryshe njihen si flavonoidë.

• Ndihmon në uljen e rrezikut të shfaqjes së problemeve të tilla si: ateroskleroza, osteoartriti dhe diabeti. Pirja e kësaj vere shmang e rreziqet që vijnë nga ngushtimi i enëve të gjakut, dhe dëmeve të shkaktuara në inde dhe gjymtyrë.

• Është e pasur me shumë vitamina. Shega është një burim natyral i vitaminave A, C dhe E. Ajo gjithashtu përmban acid folik.

• Ul rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së Alzheimerit tek të moshuarit.

• Largon inflamacionin dhe i bën mirë lëkurës.

• Zbut simptomat e menopauzës tek femrat.

• Ndihmon në rimëkëmbjen e njerëzve pas daljes nga operacioni.

Mënyra e përgatitjes së verës së shegës

Hapi i parë në përgatitjen e verës së shegës është përzierja e pak tharm majaje me lëngun e frutit, duke nisur kështu proçesin e fermentimit.

Duke qenë se shegët kanë një përqendrim më të ulët të sheqerit se sa rrushi, ato nuk mund të fermentohen lehtësisht.

Fusni kokrrat e shegës në një shtrydhëse frutash dhe lëngun hidheni në një enë çeliku të pastër.

Proçesi i fermentimit në këtë rast zgjat shumë kohë dhe bëhet në një temperaturë më të ulët se në rastin e lëngut të rrushit.

Një gjë e tillë ruan përbërësit e shëndetshëm të lëngut të shegës, të cilët në rastin e aplikimit të një temperature më të lartë do të shkatërroheshin.

Pas fermentimit, vera e shegës duhet të transferohet në fuçi lisi që të vjetërohet njësoj si vera e rrushit. Me shegën mund të bëni edhe verë të gazuar.

Vera e shegës është 100 deri në 200 përqind më e shtrenjtë se varietetet e verës së rrushit. Një shishe Premium me verë shege (750 mililitra me 18 përqind alkol) kushton 25 Euro, ndërkohë që një shishe me verë rrushi të varitetit port kushton 8 Euro.

Pavarësisht kësaj, aroma dhe shija e verës së shegës e bën atë t’ia vlejë barra qeranë!/AgroWeb.org