Vlerat e domateve me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë

1.2k 0

Marsi erdhi më në fund! Ky është muaji që presim me padurim ndërsa shënjon kohën për nisjen e aktiviteteve më të dashura të kopshtarisë, siç është mbjellja e farave të bimës së domates. AgroWeb.org ju sugjeron që të mbani një sy hapur për disa lloje të reja domatesh që mund të gjeni në treg gjatë këtij sezoni që nis. Bëhet fjalë për domatet e verdha dhe ato jeshile, të cilave instinktivisht njerëzit u shmangen pa u dhënë një shans.

Domatet jeshile janë të pasura me tomatidinë, që sipas studimeve ka vlera shëndetësore mjaft intriguese. Ky grup domatesh ruan nuancën e gjelbër të smeraldit edhe kur janë plotësisht të pjekura, por vërtet ato janë ndër më të ëmblat, më të pasurat në vlera dhe më aromatiket që mund të provoni ndonjëherë. Këto domate ruajnë klorofilin, që nënkupton se domatet edhe pse janë pjekur, vazhdojnë akoma të sekretojnë sheqerin.

Studimet kanë treguar se tomatidina, të cilën e përmendëm më lart, ka aftësinë të rrisë masën muskulore, forcën e muskujve dhe fuqinë për stërvitje.  Nëse dëshironi të shijoni domatet jeshile këtë verë, më poshtë do të keni sugjerimet tona për varietetet më të mira në mesin e kultivarëve të domateve jeshile.

Zebra e Gjelbër
Shpesh përshkruhet si një varietet i vyer i domates së gjelbër, falë shijes fantastike dhe paraqitjes aspak tradicionale. Ky varietet u prezantua për herë të parë në vitin 1980. Lëkura e domates me shirita shumëngjyrësh të sjell ndërmend ngjyrat e larmishme të një pylli pranveror. Poshtë lëkurës, tuli i domates ka ngjyrë të çelët ndërsa shija e tij është intriguese, me nuancat e ndezura të agrumeve.

Rrushi i gjelbër


Këtë varietet duhet ta rrisni për paraqitjen e saj, por jo vetëm. Domatja në fjalë ka formën e rrushit, me lëkurë me ngjyrë të bukur dhe thuajse të tejdukshme. Kjo domate piqet shpejt dhe ka një shije të jashtëzakonshme tropikale me një ëmbëlsi shumë intensive. Ky varietet i domates ka ngjashmëri me atë klasiken, por çuditërisht përafrohet edhe me rrushin e gjelbër Muskat.

E gjelbra diellore
Kjo domate e ka origjinën nga Japonia, ku botanistët arritën të krijonin një shartim nga i cili lindi edhe varieteti i domateve Sungold. Për fat të keq, varieteti Sungreen nuk e arriti kurrë popullaritetin e simotrës së tyre. Domatet kokërr vogël kanë të njëjtin nivel ëmbëlsie, por me nuanca bimore që të sjellin ndërmend aromën e barit. Kjo domate piqet herët dhe konsiderohet si një bimë bujare, duke qenë se ofron shumë për konsumatorin.

Një tjetër varietet i preferuar është Golden Queen. Baza e domates është me nuanca të së kuqes, që vazhdon e çelet deri sa të arrijë ngjyrën e verdhë në maj. Cilësia e kësaj domateje është shumë e mirë. Shija përmban një ekuilibër të aciditetit dhe ëmbëlsisë, që zakonisht nuk gjendet tek domatet kokërverdhë.

AgroWeb.org ju sugjeron se, domatet nuk duhet të jenë gjithnjë të kuqe që të kenë shije të mirë. Domatet jeshile dhe të verdha janë të afta t’ju përcjellin një oaz të mirëfilltë e të shumëfishtë shijesh./AgroWeb.org