Vodka ruse shoqëruar me kumbulla shqiptare

784 0

Në supermarketet e Gjermanisë do të gjeni birrë nga më të mirat, kremviçet e famshme wurstel dhe…domate shqiptare të eksportuara nga Kujtim Lika. Vetë Kujtimi përpara 4 vitesh kur nisi biznesin e tij të eksportit në Divjakë nuk do ta kishte imagjinuar se një mik do t’i telefononte nga Gjermania e do t’i thoshte se në një supermarket kish hyrë për të blerë një kg domate dhe kur kish lexuar “Made in Albania” kishte blerë plot dy arka, duke thënë me vete “do jenë të Kujtimit, patjetër”.

 

 

E dini? Një kg hurma shqiptare kushtojnë rreth 10 euro në tregjet ruse

Është ende ngrohtë jashtë, por në mjediset frigoriferike të grumbullimit të Kujtim Likës është ftohtë, -2 gradë celcius. Duhet të mbahen të freskëta kumbullat që do të ngarkohen në darkë në kamiona për t’u nisur larg, shumë larg, deri në Rusi. E vështirë për t’u besuar por Kujtim Lika ka pasur këtë vit aq punë me eksportet në Rusi sa ka ngarkuar edhe 17 kamiona në ditë, me kumbulla, hurma e domate të grumbulluara nga fermerët. Po, janë të famshme hurmat shqiptare në Rusi, ashtu si domatet në Gjermani. E dini? Një kg hurma shqiptare kushtojnë rreth 10 euro në tregjet ruse. “Të kisha mundësi? Do t’i mbushja tregjet rajonale, europiane e ruse me domate, kumbulla, bostan e lakra shqiptare” thotë Kujtimi me entuziazmin që i bie teksa vijon “…por Shqipëria s’ka prodhim aq sa duhet.”

Shqipëria bujqësore pa prodhim bujqësor

Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, i vetmi sektor me rritje, 2.9 përqind në një kohë krize ekonomike globale. Klima? Tejet e favorshme. Por çfarë i mungon Shqipërisë që të mos ketë aq shumë prodhim? Kujtimi thotë esencialet: parcela të vogla qe nuk të krijojnë mundësi prodhimi të bollshëm, toka të tëra të lëna djerrë dhe thelbësorja; mungesa e çertifikimit me standarde europiane.

Që produktet shqiptare të depërtojnë në tregjet europiane duhet të kenë çertifikatën EuroGAP, të cilën Kujtimi e merr me shumë vështirësi në Maqedoni e që i kushton rreth 2000 euro. “Nëse në Shqipëri do të kishte organizma çertifikues të njohura nga tregjet europiane, ekportet shqiptare do të ishin të shumëfishura”, thotë Kujtimi ndërsa na tregon peripecitë për të mbajtur fort partnerët e tij në Europë e Rusi, duke seleksionuar me kujdes të gjitha prodhimet që i vijnë në pikën e tij frigoriferike të grumbullimit.

“Për mua, eksporti nuk është vetëm Divjaka, është e gjithë Shqipëria”, thotë Kujtimi, duke na rrëfyer sesi lidhet me furnizuesit e domateve në Shkodër, me ata të arrave në Peshkopi, me ata të hurmave në Fushë-Krujë e limonave në Tiranë.

Ka edhe humbje, pasi cilësia nuk ështe e mirë dhe Kujtimit i duhet ta seleksionojë mallin përpara se ta eksportojë. Humbja është 10-20% gjë që për Kujtimin është e kompensueshme.
Kujtimi ka arritur të marrë edhe produkte nga rajoni për të plotësuar kërkesat e tregjeve europiane dhe ruse. “Më kërkojnë 5 mijë tonë mandarina në Rusi. Ku t’i gjej?” Tregu rus, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe embargos ndaj tregjeve europiane ka rritur kërkesën e tij për produkte bujqësore nga Shqipëria e vendet e rajonit. Këtë, Kujtim Lika e ka ndjerë dhe me nuhatjen prej biznesmeni po mundohet të plotësojë kërkesat për sasi të mëdha, duke kontaktuar me furnizues brenda e jashtë kufijve. Tregohet gjithsesi edhe mjaft i kujdesshëm ndaj çështjeve nacionalisto-politike pa i ngatërruar ato me biznesin. Eksperienca e “ka rrahur” me këto punë.

Konsulentët i këshillojnë mandarinat e Xarrës. Kujtim Lika flet me sasi konkrete: “I ka 5 mijë ton mandarina Xarra?” Ndërsa duket se njësia kilogram, tashmë nuk është në fjlalorin e tij të biznesit.

Sfidat e paçlodhura të Kujtimit

Kujtim Lika eksporton produkte shqiptare në 18 shtete. Që prej nisjes së biznesit nuk ka bërë asnjë ditë pushim, asnjë orë. Ora 7 e mëngjesit e gjen në punë, të cilën e mbyll shpesh rreth orës 2 pas mesnate. Duhet të jetë vetë qysh në kontaktin me fermerët furnizues, në seleksionimin e produkteve, ambalazhimin, pengesat në doganë…dhe ka një histori interesante për të na treguar. Falë reputacionit të tij si njeri korrekt, pas një pengese të cilën ai e quan të pakuptimtë në doganë, Kujtim Lika me vendimmarrje të shpejtë i telefonon vetë Kryeministrit të vendit. Po, për t’i paraqitur ankesën e tij të drejtë. Të drejtë pasi telefonata rezultoi me vënien para përgjegjësisë së personin që kish krijuar pengesën në doganë. Kujtimi flet fjalë të mira për Kryeministrin të cilin e takoi një muaj më parë kur vetë z.Rama i dorëzoi kontratën e një granti të fituar nga skemat kombëtare të AZHBR-së.

Kujtim Lika pas takimit me Kryeministrin Rama i cili i dorëzoi kontratën e grantit nga AZHBR-ja

Financimi dhe besimi i Kujtimit për “pushtim tregëtar ” të Europës

Në krah të mjediseve eksistuese frigoriferike të tij në Divjakë, Kujtimi sapo ka nisur një investim të ri prej rreth 350 mijë dollarësh. Përmes projektit AgroKapital, financuar nga USAID e që po zbatohet nga organizata e konsulencës CBS, Kujtimi gjeti mbështetje për plotësimin e dokumentacionit të aplikimit për një grant nga AZHBR-ja. Kujtimi ka aftësi për të gjetur e siguruar financim, por denjësisht i është mirënjohës USAID-it dhe projekteve mbeshtetëse për bujqësinë shqiptare. Plotësimi korrekt i dosjes së plotë e bëri Kujtim Likën fitues të një granti që mbulon 50% të investimit të tij. Ai është ambicioz. N&eumeuml;se krahasuar me 2013-tën, ai ka mundur të trefishojë eksportin, ka besim të plotë se në 2015-tën me këtë investim ai do ta pësëfishojë këtë eksport. E nëse tani ai ka të punësuar rreth 25 persona, ky investim do të rrisë numrin e të punësuarve në 70-80 punonjës. Qetësisht por bindës ai thotë se Shqipërisë i erdhi momenti i duhur. Për 3 vjet , Kujtimi është i sigurt se tregjet e Ballkanit, Europës por edhe përtej do të jenë “të pushtuara” nga eksportet shqiptare. Mençurisht, fermerët shqiptarë duhet të zgjohen.