A është Vërtet e Dëmshme të Konsumosh Sheqer Para Gjumit?

1.1k 0

Shumë njerëz preferojnë të shijojnë një ëmbëlsirë pas konsumit të vaktit të fundit të ditës.

Kjo mund të jetë një sjellje e mësuar, e cila mund të nxisë më tepër dëshirën për të ngrënë sheqerna para gjumit.

Edhe pse rreziqet që sheqeri i përpunuar sjell për organizmin tashmë dihen, shumë mund të jenë kuriozë të dinë se si ngrënia e sheqerit para gjumit ndikon në trupin tuaj.

Për ta zbuluar, AgroWeb.org u bazua në studime dhe në fjalën e mjekëve dhe dietologëve më të mirë botërorë.

Pavarësisht nëse është një filxhan çaji i ëmbëlësuar ose një karamele, mësoni më poshtë së çfarë mund të ndodhë nëse konsumoni sheqer para gjumit.

Mund të shkaktojë inflamacion

Ngrënia e sasive të larta të sheqerit lidhet me inflamacionin kronik, i cili mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore si sëmundje të zemrës, obezitet, kancer dhe diabet.

Inflamacioni lidhet gjithashtu edhe me apnenë e gjumit, një gjendje në të cilën frymëmarrja juaj nuk është e lirë dhe në rastin më të keq mund të cënojë jetën tuaj.

Sheqeri mund të shkaktojë inflamacion të indeve që gjenden në gojë dhe fyt, duke shkaktuar ënjtje dhe rritjen e prodhimit të mukusit.

Kjo mund të ndikojë në frymëmarrje, duke shkaktuar gërhitje dhe përkeqësim të apnesë së gjumit.

Mund të ndikojë në cilësinë e gjumit

Sheqernat e rafinuara rrisin me shpejtësi nivelet e sheqerit në gjak, gjë që mund të shkaktojë një rritje të energjisë.

Kjo mund t’jua bëjë më të vështirë të bini në gjumë por edhe procesin e fjetjes në tërësi.

Mund të çojë në shtim të peshës

Deri më tani dihet se sheqeri i tepërt ruhet në qelizat yndyrore. Dhe gjatë kohës që jeni zgjuar, trupi juaj mund ta përdorë atë sheqer për energji.

Por gjatë natës kur jeni duke bërë pak ose aspak aktivitet fizik, konsumimi i tepërt i sheqerit ka më shumë gjasa të ruhet dhe si pasojë të çojë në shtim të peshës.

Ngrënia e ushqimeve me sheqer më herët gjatë ditës ju jep mundësinë që sheqeri të përdoret për energji në vend që të ruhet si yndyrë.

Pra, sa e dëmshme është konsumosh sheqer para gjumit?

Nëse e keni zakon të konsumoni sheqer gjatë gjithë kohës, kjo mund të sjellë pasoja në shëndetin tuaj.

Një mënyrë e mirë është të konsumoni sheqerna në mënyrë të moderuar dhe ta shmangni atë para gjumit. Shijojini ëmbëlsirat gjatë orëve të ditës kur jeni më aktiv.

Ekspertët rekomandojnë të mos konsumoni sheqerna për 2 deri në 3 orë para gjumit për të lejuar tretjen.

Megjithatë, nëse rrallë konsumoni një meze të ëmbël dhe të lehtë gjatë natës, kjo nuk përbën një rrezik për të cilin duhet të shqetësoheni.

Sipas dietologëve këshillohet të konsumohet një maksimum prej 6 deri në 9 lugë çaji sheqer të përpunuar në ditë. /AgroWeb.org