Imuniteti i Organizmit Është më i Fortë në Verë

1.5k 0

Me rritjen e temperaturave organizmi forcon imunitetin e tij dhe zbeh paksa mundësinë e prekjes nga Covid 19.

Një studim i kryer nga Universiteti i Cambridge ka zbuluar se imuniteti i njeriut është më i fortë në stinën e verës dhe më i dobët në dimër, çka shpjegon më së shumti arsyen përse sëmuremi më shumë në dimër.

Studiuesit analizuan të dhënat genetike të 23,000 burrave dhe grave në mbarë globin dhe zbuluan se geni që nënshtron infeksionet është më aktiv në stinën e verës.

Studiuesit sqaruan se rreth 10 përqind e geneve të njeriut aktivizohen më shumë gjatë muajve të verës.

Kjo i atribuohet më shumë ndryshimeve në përbërjen e gjakut të njeriut gjatë kësaj stine.

Arsyet Përse Jemi Më Të Shëndetshëm Gjatë Stinës së Verës

Njerëzit janë më të shëndetshëm në verë për dy arsye të rëndësishme dhe shumë të thjeshta.

Aktiviteti Fizik

Gjatë dimrit, temperaturat janë të ftohta dhe errësohet shumë shpejt, ndaj gjëja e fundit që njeriu dëshiron të bëjë është të qëndrojë për orë të tëra jashtë.

Qëndrimi në shtëpi dhe ushqyerja e tepërt nxit shtimin në peshë.

Në verë ndryshon puna.

Njeriu është më aktiv, djeg më shumë kalori dhe ka një zemër më të fortë.

Ushqyerja e Kufizuar Por e Shëndetshme

Gjatë muajve të verës, njeriu konsumon më pak ushqim dhe ka më pak uri.

Tregjet ofrojnë një larmi ushqimesh të shëndetshme siç janë frutat të cilat pengojnë shtimin në peshë.

Njeriu është më i predispozuar të hajë më pak ushqime të pasura me karbohidrate, yndyrna dhe sheqerna.

Frutat dhe perimet që gjenden në treg janë të stinës, të freskëta e plot vitamina e minerale

Në verë, njeriu pi më shumë ujë dhe lëngje të freskëta që shuajnë etjen por furnizojnë trupin dhe trurin me ushqyesit më të nevojshëm.

E fundit por jo nga rëndësia, njeriu ka një humor më të mirë falë vitaminës D dhe nuk e sheh të nevojshme të shuajë mërzinë me bukë./AgroWeb.org